Me rritjen e temperaturave kërkohet kujdes i shtuar nga qytetarët

Përpos përhapjes së zjarreve, qytetarët duhet të kenë kujdes nga temperaturat e larta që mbretërojnë gjatë periudhës së verës e që ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut. Për këtë  arsye, institucionet e shëndeti publik kanë kërkuar kujdes gjatë ekspozimit në diell.

Gjatë muajve të verës, temperaturat në Kosovë shpesh arrijnë nivele të larta, duke rrezikuar kështu edhe shëndetin. E me rritjen e temperaturave janë shtuar edhe rastet që po kërkojnë ndihmë në Klinikën Emergjente në QKUK.

“Po, ne kemi hasur në fluks më të shtuar të pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë në klinikë, edhe si pasojë e të nxehtit qysh pas ngritjes së temperaturave”, tha Naser Syla, Drejtor i Klinikës Emergjente.

Specialisti i Mjekësisë Familjare në QKMF në Prishtinë, Rushit Ismajli, tregon për rrezikun nga i nxehti dhe për kujdesin që qytetarët duhet të kenë gjatë verës.

“Temperaturat e larta ndikojnë në shëndet, sidomos te disa grupe: te gratë shtatzëna, fëmijët dhe të moshuarit, sidomos ata që kanë probleme shëndetësore sikurse tensioni, problemet e zemrës etj. Këshillohet që në pikun e verës të evitohet dalja dhe të konsumohet më shumë ujë”, tha Syla.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka bërë të ditur se temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, sidomos te grupet e ndjeshme të popullatës.

Kurse Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 3-10 korrik 2025.


Go to TOP