Mbillen 1100 fidane në masivin pyjor të Munellës në përkujtim të Ndoc Mulajt

Në nderim dhe përkujtim të specialistit të turizmit, Ndoc Mulaj sot në masivin pyjor të Munellës u mbollën 1100 fidanë pishë e zezë, nën kujdesin e vetë kryebashkiakut Gjonaj.

Një tabelë e vendosur pranë fidanëve të mbjell përjetëson emrin dhe kontributin e të ndjerit, Ndoc Mulaj, ndërsa kreu i bashkisë, Gjonaj tha se ky ishte vetëm fillimi i nderimit të Ndoc Mulaj, teksa ju premtoi familjarëve dhe të pranishmëve të tjerë se do ti propozonte këshillit bashkiak akordimin e titullit “Qytetar Nderi”.

Të pranishëm në këtë veprimtari ishin fëmijët e të ndjerit dhe familjarë e të afërm të tjerë, të cilët falenderuan kryebashkiakun Gjonaj për nismën dhe të gjithë ata që kontribuan natën e tragjedisë për nxjerrjen e trupit të pajetë.

Ndoc Mulaj ka ndërruar jetë një natë para ndërrimit të viteve në malin  e Munellës, në moshën 60 vjeçare, teksa shoqëronte një grup alpinistësh.

Specialisti i turizmit malor u gjet i pajetë pas 5 orësh kërkime. U desh ndërhyrja e policisë dhe zjarrfikëses për të bërë të mundur gjetjen e tij. Ndoc Mulaj, shoqëronte grupin e alpinistëve të cilët ishin duke xhiruar një reportazh.


Go to TOP