OKB reagon për rusin e shpallur “non grata” nga Kosova

Javën e kaluar Ministria e Puënve të Jashtme të Kosovës e shpalli ‘non grata’ një rus i cili vepronte nën ombrellen e UNMIK-ut në Kosovë.

E kjo ngjalli reagime edhe në OKB.

Për gjurmët e kësaj afere gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch ka kontaktuar me kabinetin e shefit të Kombeve të Bashkuara.

Të pyetur rreth demantit nga Prishtina zyrtare në adresë të zëdhënësit të OKB-së rreth rastit të dyshimit të shpallur person “non grata” dhe se kur e mori UNMIK-u zyrtarisht notën verbale nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, zyrtarët nga OKB janë përgjigjur se “UNMIK-u mori më 2 janar 2022 një notë verbale nga autoritetet e Kosovës të datës 31 dhjetor 2021, në të cilën një anëtar i stafit ndërkombëtar të misionit shpallet “persona non grata””.

Ky shpjegim nga zyrtarët e OKB-së vjen pasi kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla iu kishte përgjigjur zëdhënësit të OKB-së, Durrajic për rusin e shpallur “non grata”.

Kurse nga kabineti i sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara theksojnë se janë duke shqyrtuar këtë çështje me autoritetet e Kosovës.

“Ne ritheksojmë se doktrina e “persona non grata” nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk parashikohet sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it dhe UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë). Çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t’i drejtohet udhëheqjes së misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë çështjen në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetet e UNMIK-ut dhe personelit të tij…” thuhet në fund të sqarimit nga kabineti i shefit të OKB-së në Nju Jork, sipas të cilëve Misioni i OKB është duke e shqyrtuar çështjen e rusit “non grata” me autoritetet e Kosovës.

Go to TOP