Kurti takon Kamberin, flasin për situatën politike dhe të sigurisë në rajon

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, me bashkëpunëtorët, kandidatët për kryetarë komunash në Preshevë e Bujanoc, Ardita Sinani e Ragmi Mustafi.

Siç njoftojnë nga Qeveria, bashkëbisedimi u fokusua rreth situatës politike dhe të sigurisë në rajon, gjithashtu u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të mbështetjes për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka ndarë 3 milionë euro për Luginën në buxhetin e këtij viti, jo vetëm për të ndihmuar në ruajtjen e kulturës e identitetit por edhe për të rritur mbështetjen për programe të tjera siç është ai i bujqësisë.

“Shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë ta kenë mbështetjen e palëkundur të Qeverisë së Republikës së Kosovës përballë diskriminimit e politikave shtypëse të Beogradit ndaj komunitetit shqiptar”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP