Kujtojnë masakrën e Izbicës ku 147 burra u ekzekutuan nga forcat serbe

Mbijetuesit dhe dëshmitarët sot kujtuan masakrën e Izbicës, ku më 28 mars 1999, 147 burra dhe pleq u ekzekutuan nga forcat serbe. Drejtësia dhe kujtesa mbeten amanet për viktimat.

Kurrë sa të jetë gjallë, Milazim Thaçi, thotë se nuk do ta harrojë atë që kishte përjetuar në masakrën e Izbicës. Si dëshmitar i njërës prej masakrave më të tmerrshme në Kosovë që shteti serb kryente para më shumë se dy dekadash, kujtimet për atë që kishte ndodhur janë ende të freskëta.

“Ato viktima, atë gjak që u derdh aty, kurrë sa të jem gjallë nuk do ta harroj. Ata kanë bërë zi e më zi, na kanë sharë, na kanë vrarë, na kanë plaçkitur pasuritë tona, dhe pas mbarimit na kanë vrarë gjithçka që kishim”, thotë Thaqi.

Më 28 mars 1999, në Izbicë të Skenderajt, forca të shumta ushtarake dhe policore të Serbisë, pas një rrethimi të fshatit, ekzekutuan duke masakruar 147 burra, të rinj dhe pleq, ndërsa pjesën tjetër të banorëve e dëbuan jashtë Kosovës. Në këtë ndërmarrje kriminale nuk u kursyen as të rinjtë e as të moshuarit e fshatit.

Drejtësi për të rënët në Izbicë ka kërkuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se kujtimi për të rënët është obligim, ndërsa drejtësia për ta mbetet amanet.

“Izbica nuk është vetëm dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë. Është po ashtu kujtesë që nuk guxon të zbehet dhe thirrje që drejtësia të mos vonojë. Krimet e Serbisë, të cilat u kryen me qëllim të shfarosjes së popullit tonë, duhet të përballen me drejtësinë,” ka shkruar Osmani.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se kjo masakër, ndër më të mëdhatë të kryera nga Serbia, dëshmon që shqiptarët u ekzekutuan si pjesë e planit për zhdukjen e tyre.


Go to TOP