Kritikohet shqyrtimi i buxhetit me procedurë të shpejtë
Kanë kaluar dy ditë kur Kuvendi e miratoi në lexim të parë projektbuxhetin e viti të ardhshëm. Por, organizatat që e monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës kanë kritika për pushtetin. Thonë se nuk ishte e nevojshme që me kaq shpejtësi të votohej buxheti i shtetit në lexim të dytë, veçanërisht duke theksuar kohën e shkurtër që, sipas tyre, u është dhënë deputetëve për ndryshimet e mundshme të amendamenteve.
Monitoruesit e Kuvendit thonë se vazhdimi i praktikës së votimit me procedurë të shpejtuar, të projektligjit mbi ndarjet buxhetore është i dëmshëm.
Pas miratimit në lexim të parë të buxhetit të shtetit për vitin 2025, mazhoranca votoi njëzëri që shqyrtimi i dytë i projeksionit buxhetor të bëhet me procedurë të përshpejtuar.
Deputetët kanë afat deri nesër t’i dorëzojnë propozimet e amendamenteve.
Për organizatat që monitorojnë punën e Kuvendit, vazhdimi i praktikës së votimit me procedurë të shpejtuar, të projektligjit mbi ndarjet buxhetore është i dëmshëm.
“Kjo qasje i pamundëson komisioneve parlamentare që të organizoj dëgjime buxhetore organizatat e linjës dhe të marrë nga ata info pse duhet të këtë shtim apo reduktim të buxhetit, në këtë mënyrë, votimi i buxhetit po shndërrohet në një shabllon ku deputetët e shumicës nuk marrin parasysh propozimet e opozitës dhe në raste as të vet deputetëve të tyre, nëse këto bien ndesh me strukturën buxhetore si të tillë”, tha Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se praktika e shqyrtimit të buxhetit me shmangie nga afatet procedurale, të parapara me rregulloren e Kuvendit, sipas tij, është praktikë e dëmshme, është praktikë e keqqeverisjes dhe është praktikë jodemokratike.
Ai kritikoi edhe mospërfshirjen e amendamenteve të propozuara më herët nga opozita parlamentare.
“Asnjë amendament i opozitës parlamentare nuk është miratuar, nuk u përkrah, as miratuar nga shumica parlamentare dhe as nga ministri i financave”, tha Jakaj.
Projektbuxheti për vitin 2025 në vlerë mbi 3.6 miliardë eurosh, pritet të votohet në lexim të dytë më 21 nëntor.