Krasniqi, punëtor me nevoja të veçanta, i lumtur që tani është i pavarur

Arben Krasniqi ka disa ditë që është punonjësi më i ri në Komunën e Malishevës. 35-vjeçari tashmë punon si nëpunës civil me kontratë të përhershme. Krahas kolegëve të tij, Krasniqi tani e tutje do t`u dalë në ndihmë për çdo kërkesë që kanë bashkëvendësit e tij.

“Ka qenë shumë i rëndësishëm sepse del, je më i pavarur, nuk rri shumë mbyllur nëpër shtëpia që ju ndodh personave me aftësi të kufizuara sepse nuk kanë mundësi të dalin shumë. Kjo është një mundësi shumë e mirë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi thotë se për këtë vend pune, ka qenë i përkushtuar edhe për përfundimin e shkollimit adekuat.

“E kam fakultetin e Edukimit kurse master e kam Administratë Publike, për arsyeje se mu përputhke me vendin e punës dhe kam studiuar administratë në master”, ka shtuar Krasniqi.

Përveç obligimit ligjor që ka, kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati, tha së është i përkushtuar që t’u dalë në ndihmë dhe t’i realizojë kërkesat që kanë personat me aftësi të kufizuara.

“Edhe pse janë persona me nevoja të veçanta ju ofrojnë shërbime të gjithë qytetarëve të komunës së Malishevës që për neve është kënaqësi dhe nder i madh që kemi pas mundësi që t’ju realizojmë një të drejtë këtyre personave”, ka thënë Kastrati.

Kastrati, përveç punësimit kësaj kategorie, tha se janë duke zhvilluar projekte që do t’u krijojnë qasje më të lehtë nëpër institucione publike.

“Edhe sektori privat obligohet me Ligj kush i ka të punësuar 50 punëtor obligohet që një ta ketë nga kategoria e personave me nevoja të veçanta”, ka shtuar Kastrati.

Sipas Kastratit, aktualisht në këtë komunë janë rreth 400 persona me nevoja të veçanta të cilët duhet të trajtohen sikurse te gjithë të tjerët.

Go to TOP