Prodhimi i perimeve në Mamushë i bollshëm, por me çmim të ulët

Mamusha ka siguruar mbiprodhim të perimeve në ambient të mbrojtur në sera. Fermerët ankohen se nuk kanë arritur të zënë çmimin e dëshiruar dhe se nuk ka fuqi punëtore, ndërsa çmimi i preparateve është i lartë.

Qeveria i ka ndihmuar ata në ngritjen e serave dhe disa prej tyre kanë përfituar edhe teknikë.

Banorët e kësaj komune janë bujq shumë punëtorë dhe mundohen që prodhimi i tyre të dalë sa më herët në treg.

“I kam 36 ari i kam domate, 36 i kam tranguj, lakra, i kam 60 ari, punoj me familje, sivjet çmimet janë shumë të ulëta, nuk jemi shumë të kënaqur, sepse po e shihni edhe vetë me pas çmim kjo domate nuk do të ishte këtu, as shpenzimet s’po dalin me këto çmime”, ka thënë Rasim Mazreku – Fermer i Mamushës.

“Jo s’ka pas çmim, llogarite tash është 35 cent kilogrami, në treg ka më lirë, një arkë ka 8-kilogram që kap 2.75 cent”, ka thënë fermeri Qemajl Mazreku.

“Në katër e gjysmë zgjohemi, punojmë deri në 12, pasdite prej katërve deri tetë e gjysmë sa të terrohet. Po mundemi me jetu deri dikun, mos me kanë punëtor i dikujt”, ka shtuar Qemajl Mazreku.

Kurse, Vedat Mazreku ka bërë spërkatjen e fundit në serrë për të luftuar sëmundjet që e dëmtojnë domaten.

“Sivjet hala s’jam kërkah, krejt domatja që është në serë, çmim nuk ka, po pritet çmimi mu rrit edhe ne po presim. Shteti na ka ndihmuar boll, është edhe tu na ndihmuar, na ka dhënë sera, edhe traktorin e kam fituar vjet”, ka thënë Vedat Mazreku.

Disa nga banorët e tjerë merren me blegtori, ata kanë të mbjellë në tokat e tyre drithëra për të siguruar ushqimin e kafshëve. Problemi me të cilin janë duke u ballafaquar të gjithë është mungesa e punëtorëve të krahut.

“Me teknik punojmë me teknikë. Të familjes e kam njërin edhe unë, tre meshkuj punojmë, shumë vështirë është me gjet punëtor, s’ka punëtor”, ka thënë Bekim Thaqi, banor i Mamushës.

Përveç mungesës së punëtorëve , çmimet e larta të preparateve për mbrojtjen e bimëve dhe prodhimit të gatshëm po e sfidojnë fermerin e kësaj komune, ndonëse shprehin shqetësimin se tregtarët po i dëmtojnë në çmim.

Go to TOP