Konjufca: Kombi shqiptar mund të mburret se i ka dhënë botës piktor si Gjelosh Gjokaj

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në hapjen e ekspozitës së piktorit shqiptar nga Mali i Zi, Gjelosh Gjokaj, në ambientet e Galerisë Kombëtare në Prishtinë.   

Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryetari Konjufca vlerësoi lart veprën e artistit Gjokaj, duke e cilësuar njërin ndër artistët më të mëdhenj të kombit shqiptar. 

“Kemi të bëjmë me një artist, i cili mund të quhet me plot kuptimin e fjalës, botëror. Nga veprat e tij mund të mësojmë shumë, sepse ajo e ka krijuar hapësirën autentike në universin e artit botëror”, tha kryetari Konjufca. 

Kombi shqiptar, sipas kryetarit Konjufca, mund të mburret se i ka dhënë botës piktor si Gjelosh Gjokaj. 

Kreu i Kuvendit falënderoi Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë dhe Galerinë Kombëtare të Kosovës për mundësinë e hapjes së kësaj ekspozite me veprat e Gjelosh Gjokajt. 

Në hapje të ekspozitës i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ambasadori i këtij shteti në Prishtinë, Bernard Çobaj, ministri i Kulturës i Kosovës, Hajrulla Çeku, ambasadorë, përfaqësues të partive politike, dashamirë të artit dhe mysafirë të tjerë. /Kosova.info/

Go to TOP