Kokaina e Xibrakës në Elbasan, Bardhi “rihap” dosjen për vëllain e kryeministrit

Nga selia e PD-së, Gazment Bardhi publikoi disa të dhëna nga sistemi TIMS duke akuzuar se në to provohet lidhja e Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit, me veprën penale të laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit.

Partia Demokratike akuzoi vëllain e kryeministrit si të lidhur me dosjen penale të laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit.

Nga selia e PD-së, Gazment Bardhi publikoi disa të dhëna nga sistemi TIMS duke u shprehur se ato provojnë lidhjen e Olsi Ramës me këtë grup të strukturuar kriminal.

Bëhet fjalë për makinën e dosjes që sipas tij e përdorte dhe vëllai i kreut të qeverisë.

“Provohet bashkëpunimi i Olsi Ramës me grupin e kokainës në Xibrakë. Vëllai i kryeministrit dhe drejtuesit e narkotrafikut përdorën të njëjtën makinë 18 herë. Prokuroria hapi një dosje sekrete paralele për të hetuar një 45-vjeçar të paidentifikuar me emër, që ka përdorur të njëjtën makinë si Olsi Rama dhe trafikantët e drogës.”

Në vijimin e akuzave, Bardhi ngriti dyshime për përfshirjen e Olsi Ramës edhe në arratisjene kreut të këtij grupi kriminal, Genci Xhixha.

“Bëhen publike 10 provat e përfshirjes së Olsi Ramës në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Olsi Rama është përdorues i automjetit me targë AA653DM. Prokuroria të rihapë hetimin për rolin e Olsi Ramës në çështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë. Edi Rama ka një përgjigje për të dhënë: Çfarë bënte i vëllai me të njëjtën makinë, e cila u përdori njëkohësisht edhe nga organizata kriminale e trafikut të drogës në Xibrakë?”

Në mbyllje të denoncimit, Bardhi u shpreh se këto të dhëna do t’ia përcjellë edhe prokurorisë së posaçme antikorrupsion.

Go to TOP