Kërkohet anulimi i vendimit të ZRrE për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike

Sot, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me iniciativë të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të mbështetur nga deputetë të partive të tjera, u mbajt një takim i përbashkët me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe KESCO-s për të diskutuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike.

Takimi kishte si qëllim shqyrtimin e pasojave socio-ekonomike të këtij vendimi dhe diskutimin e mungesës së konkurrencës reale në tregun e energjisë elektrike. ZRrE dhe Autoriteti i Konkurrencës (AKK), që sipas ligjit i raportojnë Kuvendit, u ftuan për të marrë pjesë, por nuk ishin të pranishëm, duke shmangur përballjen me deputetët dhe publikun për vendime që kanë pasoja të rënda ekonomike për vendin. Ky veprim është cilësuar si një shpërfillje ndaj Kuvendit dhe profesionalizmit të institucioneve të shtetit.

Në mungesë të këtyre institucioneve, takimi vazhdoi dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit theksuan shqetësimet e tyre, sidomos për kompanitë prodhuese, që për shkak të rritjes së çmimit të energjisë do të përballen me rritje të kostos së prodhimit, duke i bërë këto ndërmarrje jokonkurrente, si në tregun vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Kjo do të ndikojë negativisht edhe në çmimet që tregtarët do t’u imponojnë qytetarëve, duke shkaktuar një ngarkesë më të madhe për konsumatorët.

Në fund të takimit, u bë një kërkesë publike për ZRrE dhe autoritetet që menaxhojnë buxhetin e Kosovës që të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje dhe të shtyjnë ose anulojnë vendimin për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar deri në krijimin e një tregu funksional dhe konkurrues, i cili do të kontribuonte në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe do të sigurohej që të respektoheshin të drejtat e bizneseve dhe qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP