BQK vlerëson performancën e fortë të BQK-së

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka miratuar Rishikimin e IV-të të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Programit për Rezilencë dhe Qëndrueshmëri (RSF) për Kosovën, duke konstatuar përfundimin me sukses të objektivave të të dy programeve mbi bazën e performancës së fuqishme të dëshmuar nga autoritetet vendore, në veçanti nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK).

Sipas njoftimit të FMN-së, BQK po udhëheq me përkushtim zbatimin e reformave kyçe që synojnë përmirësimin e qeverisjes, forcimin institucional, zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike të vendit.

Raporti vlerësues evidenton progresin e BQK-së në forcimin e sistemit financiar, përfshirë rishikimin e Rregullores së Punës së Bordit Ekzekutiv, riorganizimin e brendshëm, si dhe miratimin e një plani trevjeçar për zbatimin e Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP). Për më tepër, janë përmirësuar kërkesat për raportimin e të dhënave në regjistrin e kredive, duke rritur transparencën dhe efikasitetin mbikëqyrës.

Ligji i ri për Bankat, i miratuar në dhjetor 2024 nga Kuvendi i Kosovës dhe aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, pritet të përforcojë më tej kompetencat mbikëqyrëse të BQK-së, të përmirësojë qeverisjen korporative dhe të sigurojë mekanizma më efikasë për përmbylljen e bankave në vështirësi.

FMN thekson se reformat në vijim do të ndihmojnë në përmirësimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, menaxhimin e rrezikut sistemik, si dhe rritjen e gatishmërisë institucionale për përballimin e krizave.

“Sektori bankar në Kosovë po zgjerohet me shpejtësi, duke ofruar mbështetje për rritjen ekonomike, ndërsa ruan nivele të larta të kapitalizimit, likuiditetit dhe profitabilitetit,” thuhet në raport. Bankat janë gjithashtu të gatshme të përmbushin kërkesat e reja rregullative të kapitalit, pas miratimit të masave makroprudenciale në shtator 2024.

BQK ka avancuar në drejtim të integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe zhvillimit të sistemit rajonal të pagesave të shpejta (TIPS Clone). Gjithashtu, FMN ka vlerësuar lart nismat e fundit të BQK-së, si Llogaria bankare me Shërbime Bazike dhe Platforma për Krahasimin e Produkteve Financiare, të cilat kanë rritur konkurrencën dhe edukimin financiar në vend.

BQK ka falënderuar FMN për partneritetin strategjik dhe ka ritheksuar përkushtimin e saj si garantuese e stabilitetit financiar dhe mbështetëse e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP