Katërvjeçari shqiptar vdes para syve të babait, u mbyt nga ushqimi
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në Edolo të Brescia në Itali ku një katërvjeçar me origjinë shqiptare ka vdekur para syve të babait të tij.
Andrea Direxhai ka qenë duke drekuar me familjen e tij, kur papritur u mbyt nga ushqimi. Babai i vogëlushit katërvjeçar lajmëroi me urgjencë ambulancën për t’i ardhur në ndihmë Andreas.
Ekipet e emergjencës që mbërritën menjëherë në vendngjarje tentuan t’i jepnin ndihmën e shpejtë 4-vjeçarit, por fatkeqësisht nuk mund të bënin asgjë. Me gjithë përpjekjet e tyre, 4-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Lajmi i hidhur pikëlloi të gjithë zonën e Edolo, ku familja shqiptare ishte mjaft e njohur dhe e respektuar nga komuniteti vendas.
Kryetari i Bashkisë së Edolo në Itali, Luca Masneri ka shprehur ngushëllimet për prindërit e Andreas, për humbjen e rëndë që po përjetojnë.
