Sadiku: VV-ja e reduktoi “luftën” kundër Komunës së Prishtinës te çmimi i biletës së autobusit

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për qasjen e saj ndaj Komunës së Prishtinës duke thënë se partia në pushtet po pengon projektet e kryeqytetit dhe se opozitarizmin e ka reduktuar në kundërshtimin e rritjes së çmimit të biletave të autobusit.

Sadiku tha se Vetëvendosje e ka udhëhequr Prishtinën për dy mandate duke e cilësuar atë periudhë si “qeverisjen më të keqe” që ka pasur ndonjëherë një komunë në Kosovë.

Ai theksoi se, megjithëse Prishtina përballet me probleme si qentë endacakë, rrugët e dëmtuara, ndriçimi, kushtet në QKMF dhe shkolla, sipas tij, sulmet politike ndaj kryetarit të Prishtinës kanë qenë të vazhdueshme dhe të pabazuara.

Në reagimin e tij, Sadiku ironizoi edhe vendimin e Vetëvendosjes për ta dërguar në gjykatë vendimin për rritjen e çmimit të biletave të autobusit duke thënë se kjo është “arma” kryesore e opozitës në kryeqytet.

“Hajde, ishalla e fitoni këtë lëndë. Amatera qesharakë”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP