Intervistohen ish-kryetarët e komunave paralele serbe në veri të vendit

Prokuroria e Mitrovicës ka nisur intervistimin e ish-kryetarëve të komunave paralele serbe në veri të vendit. Dy prej tyre janë paraqitur sot në stacionin policor në veri.

Dy ish-kryetarët e dy komunave paralele serbe sot janë intervistuar nga Prokuroria e Mitrovicës në stacionin policor në veri.

Intervistimi i tyre është bërë për shkak të falsifikimit dhe lëshimit të dokumenteve false nga këto komuna paralele serbe në veri të vendit.

Njëri prej tyre ishte edhe Ivan Zaporozhacin, kryetar i të ashtuquajturës Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Mitrovicës.

Në një deklarim pas intervistimit, ai ka thënë se ky është një proces politik kundër tij dhe kolegëve.

“Është një proces politik kundër meje dhe kolegëve të mi. Jam krenar që me nder që e kam bërë punën e kryetarit në organizimin ekonomik dhe mendoj që punën time e kam kryer me sinqeritet. Ajo për të cilën akuzohem për falsifikim të dokumenteve dhe asgjë tjetër nuk mund të them. Tensionet janë të mëdha, gjëra të mëdha kanë ndodhur brenda pak ditëve”, tha Zaporozhac.

Ndërkohë, nga policia e Kosovës, në veri, e kanë konfirmuar se do të intervistohen pesë persona nga pesë institucionet paralele serb.

“Janë 5 ftesa të cilat i kemi shpërndarë. Katër i kemi gjetur nëpër shtëpia, një jo, kaq mund të them”, tha Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut.

Të premten e kaluar, pas një aksioni, Policia e Kosovës kishte mbyllur pesë objekte të strukturave paralele në komunat veriore, në të cilat lëshoheshin dokumente të falsifikuara.

Go to TOP