Rajoni

Iniciohen 22 raste në lidhje me mohimin e gjenocidit në Bosnje

Që nga 28 korriku, kur hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH) që ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, të vendosura nga ish Përfaqësuesi i Lartë Valentin Inzko, Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ka hapur 22 raste me akuza për këto krime.

Kjo u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga zëdhënësi i Prokurorisë, Boris Grubeshiq më 5 gusht.

“Pas publikimit të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë deri më sot, në Prokurori të Bosnjës dhe Hercegovinës gjithsej 22 raste janë hapur në bazë të raportimeve për mohimin e gjenocidit,” tha Grubeshiq.

Shkelja e këtij ligji dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet.

Përfaqësues të Republika Sërpskës nisën më 26 korrik bojkotimin e institucioneve qendrore të Bosnjës, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal.

Pas vendimit të Inzkos dhe përpara vendimit për bllokimin e institucioneve shtetërore, anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, tha se Republika Sërpska “duhet të fillojë procesin e shpërbërjes”.

Pastaj, më 30 korrik, Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska (NARS), në një seancë të mbyllur, miratoi Ligjin për Moszbatimin e Vendimit për Ndalimin e Mohimit të Gjenocidit me procedurë urgjente.

Deputetët po ashtu miratuan ndryshime ligjore në bazë të cilave do të dënohen ata të cilët Republikën Sërpska e thrrasin si “krijim gjenocidial”.