Homazhe në nderim të Luan dhe Smajl Haradinajt

Në 27 vjetorin e rënies së Luan Haradinaj dhe në përkujtim të Smajl Haradinajt në Gllogjan janë bërë homazhe e nderime.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca e NATO-s dhe ShBA na përkrahën fuqishëm në luftën për liri dhe për këtë u jemi përjetësisht mirënjohës.

“Ka ndodhur një mrekulli e madhe që është aleanca me Amerikën. Kjo aleancë me Amerikën, na ndihmoi ta fitojmë këtë luftë, na ndihmoi të bëhemi të pavarur dhe të bëjmë ushtrinë”, ka theksuar Haradinaj.

Hadainaj përmendi edhe ditëlindjen e nënës së tij, për të cilën ka thënë se e festoi dje, pasi në ditën e saj të lindjes, ra dëshmor, heroi Luan Haradinaj.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka theksuar se periudha e luftës në këtë zonë ishte e vështirë, por që ideali për liri i motivonte.

“Ishte periudha që organizoheshin grupe e demonstrata, ishte periudha që gjithnjë idealet e tyre po depërtonin në popull. U pushtuan rrugës e Kosovës, idealet nuk vdesin. Kjo ishte përudha e mobilizimit e pajtimit deri në pajtim të gjaqeve sepse gjaqet falen në prag të luftës. Lufta morri shumë të rinj, u bë gjenocid, që s’ka faqe e letër që mund t’i përfshij. U çlirua Kosova bashkë me aleatët, mirënjohës Amerikës, NATO-s por ama e larë me gjak truallin tonë. U shpall Pavarësia, tani Kosovës i duhen miq, akoma ky proces është i pa mbaruar. Kosovës i duhet mbështetje ndërkombëtare, Kosova ka nevojë për mbështetjen e ShBA-së, BE-së e NATO-s”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti me këtë rast kërkoi që të ruhen miqtë e aleatët.

“Kosova është në proces duhet të pranohet në mekanizmat ndërkombëtar. Kosova ka nevojë për miq në rajon e sidomos për fqinjë, sepse të gjithë miqtë i ka të pranuar në mekanizmat ndërkombëtarë. E ardhmja e sigurt është vetëm me miq, bashkëpunëtorë e aleatë”, ka theksuar Ahmeti, duke kujtuar se 6 maji është një datë e veçantë edhe për heroin kombëtar që na ka mbajt gjallë, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

Për të nderuar Luan Haradinajn dhe Smajl Haradinaj në Gllogjan ishin edhe gjeneral Kudusi Lame, Nait Hasani dhe bashkëluftëtarët të tjerë, si dhe qytetarë të shumtë.

Go to TOP