Prishtina e Prizreni kanë strehimore, komunat e tjera nuk kanë fare

Prishtina ka pesë strehimore, por vetëm dy prej tyre janë të gatshme për shfrytëzim me kapacitet për 3 mijë banorë.

Prizreni i ka dy strehimore në lagjen “Ortakoll” dhe aty ka vend vetëm për 600 persona. Por komunat e tjera si Ferizaj dhe Peja nuk kanë fare strehimore. Ndërsa në Gjakovë bodrumet e ndërtesave publike ishin të destinuara si strehimore për banorë, por pikërisht ato ndërtesa u privatizuan.

Strehimoret e sigurisë ndaj fatkeqësive natyrore apo njerëzore janë një nga shërbimet elementare për sigurinë e qytetarëve. Por një nga qytetet më të mëdha në vend Ferizaj nuk ka fare strehimore.

E në mungesë të tyre komuna ka vendosur që në raste të rrezikut për evakuimin e qytetarëve të përdoren podrumet e komplekseve banesore. 

“Kjo është marrëveshje e brendshme me ndërtuesit e këtyre podrumeve, por vitet e kaluara e kemi pas të paktën një informatë të shkurtër për qytetar, për të hy në detaje nuk mund të themi se nuk është bërë ndonjë matje, por përderisa me projektet e tyre e kanë bërë ndërtimin besoj që është e qëndrueshme”, tha për RTK, Skender Kurti, shef i emergjencave në komunën e Ferizajt

Pa strehimore nëntokësore është edhe qytetit i Gjakovës. Politika e sigurisë e ish sistemit jugosllav ishte e njëjtë për të gjitha qytetet andaj podrumet e disa ndërtesave kolektive ishin të destinuara për srehimore, por pikërisht ato ndërtesa tani më janë privatizuar.

“Të gjitha ato objektet kolektive që kanë pas edhe podrumet që i kanë pas të destinuara për strehimore dhe dalje emergjente, kanë pas podrume që kanë qenë për qëllim për mbrojtje në raste emergjente, por të gjitha këto objekte janë privatizuar dhe komuna ka shpreh interesim me formuar një komision me pa gjendjen e tyre”, tha Haxhi Sejdiu, drejtor për shërbime emergjente në Gjakovë

Për dallim nga Ferizaj dhe Gjakova, Prizreni i ka dy strehimore nëntokësore. Ato janë në lagjen Ortakoll dhe janë të gatshme për shfrytëzim. Pesë strehimore i ka edhe kryeqyteti por për shfrytëzim janë vetëm dy prej tyre.

Go to TOP