Historianët e Mitrovicës mbështesin restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, thonë se ky objekt nuk është nazist, e as fashist

Vendimi i Ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, ka nxitur reagime të shumta.

Ndaj këtij vendimi reagoi ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde duke thënë se është i shqetësuar për restaurimin e kësaj shtëpie, pasi siç shprehet ai, Xhafer Deva ishte bashkëpunëtor i njohur nazist i divizionit famëkeq SS Skënderberg.

Lidhur me këtë çështje, nënkryetari i Lidhjes së Historianëve në Mitrovicë, Enis Kelmendi ka thënë për Telegrafin se janë kundër që të ndërpriten punimet për restaurimin e kësaj shtëpie.

Ai u shpreh se kjo shtëpi posedon vlera arkitektonike dhe artistike.

“Ne si historian nuk jemi të pajtimit që me u ndërpre restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës, pasi që kjo shtëpi posedon vlera arkitektonike dhe artistike, dhe ne nuk jemi duke dashtë me ba shtëpi muze, por jemi duke dashtë me ruajt trashëgimin në stilin e veçantë që e ka perëndimor dhe vlerat e sajë arkitektonike dhe artistike”, u shpreh Kelmendi.

Historiani më tej tregoi se dëshira e tyre është që në katin poshtë të kësaj shtëpie të shndërrohet në galeri.

“Ne po duam ta shfrytëzojmë dhe pa u restaurua kjo nuk mund të shfrytëzohet për me u vendos galeri në katin poshtë. Ne kërkojmë që të mos shkatërrohen vlerat e saja të trashëgimisë kulturore”, u shpreh Kelmendi, duke shtuar se si historian kanë qenë edhe kundër rrënimit të konsullatës ruse, kundër shkatërrimit edhe të shtëpisë së armatës që ka qenë përpara burg ku shqiptarët janë vra edhe persekutua.

Enis Kelmendi- nënkryetar i Lidhjes së Historianëve në Mitrovicë/ Foto: Facebook

Kelmendi theksoi se “objekti si objekt nuk është nazist, as fashist, as jugosllav andaj sipas tij ne si shtet duhet me i ruajt këto vlera të pakta historike që i kemi”.

“Nëse ish deshtë mu marrë si bazë kjo për rrënim dhe mos-rikonstruktim të një objekti që i takojnë një periudhe historike qoftë ajo e lavdishme ose e pa lavdishme atëherë ish deshtë me u rrënua atje edhe Auschwitzi, me u rrënu e mos me u rujt si dhe shumë kampe të tjera të përqendrimit”, u shpreh Kelmendi.

Së fundmi pas reagimit të ambasadorit gjerman, ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ai ka thënë se restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash.

“Përpjekja për ta zhvendosur debatin në rrafshin e narracionit mbi personalitetin përkatës historik dëmton rëndë përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për më keq, kjo qasje legjitimon dhunën ndaj arkitekturës dhe artefaktit. Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para se gjithash nga profesionistët. Mirëpo, kundërshtimi i restaurimit duke u thirrur në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Çeku.

Për këtë gjë ka reaguar edhe KMDLNj, e cila ka thënë se është e padrejtë dhe e papranueshme të pengohet restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë sepse sipas tyre në këtë mënyrë po mohohet një pjesë e trashëgimisë arkitektonike, kulturore dhe e historisë së shqiptarëve , si pjesë e pandashme e të drejtave të njeriut.

Reagim ka pasur edhe nga ish-ministri i MPJ-së, Behgjet Pacolli. Pacolli ka thënë se shtëpia e Xhafer Devës duhet të vlerësohet nga historianët e jo nga ata që nuk flasin kurrë për krimet e komunizmit ndaj shqiptarëve.

Shtëpia e Xhafer Devës llogaritet të jetë ndërtuar në vitin 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.

Go to TOP