Guvernatori i BQK-së vazhdon me takime në Uashington, pritet nga drejtori i statistikave të FMN-së

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, është duke qëndruar në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai po merr pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankë Botërore, Me bashkëpunëtorë këtë të mërkurë ai ka takuar Drejtorin e Departamentit të Statistikave dhe njëherësh Kryestatisticient i FMN-së, Bert Kroese, njofton BQK.

Në takim është diskutuar për reformat dhe zhvillimet e ardhshme në fushën e statistikave, në funksion të avancimit të përgatitjes së të dhënave, rritjes së transparencës dhe informimit më të qartë të publikut.

“Gjatë takimit u diskutua më konkretisht për avancimin e raportimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës nga Sistemi i Përgjithshëm i Shpërndarjes së të Dhënave (GDDS) në Standardin e Veçantë të Shpërndarjes së të Dhënave (SDDS) dhe ngritjen e kapaciteteve të BQK-së në këtë fushë, avancimin e ndërtimit të Indeksit për Llogaritjen e Çmimeve të Patundshmërive (IÇPB), mundësinë e ndërtimit të një modeli për matjen e parasë së gatshme në qarkullim dhe avancimin e përpilimit të llogarive kombëtare”, thuhet në kumtesë.

Ismaili ka shprehur mirënjohjen ndaj FMN-së për asistencën e vazhdueshme ndaj BQK-së dhe I ka njoftuar drejtuesit e lartë të këtij institucioni për reformat e ndërmarra nga institucioni që e drejton dhe gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë si në fushën e statistikave ashtu edhe në sferat tjera me rëndësi në kuadër të fushëveprimit të BQK-së.

Go to TOP