Hoti: Qeveria e emëron pa konkurs një anëtare në OSHP

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, e ka akuzuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, se e ka emëruar një anëtare në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pa konkurs publik.

“Në vendimet që lidhen me prokurimin, Qeveria nuk pyet për ligj apo praktika të mira të vendimmarrjes. Siç raportohet nga tri organizata të shoqërisë civile, Qeveria e ka emëruar një anëtare të Bordit të OSHP-së pa konkurs të hapur. Kuvendi e ka miratuar këtë pa asnjë kundërshtim, siç është bërë praktikë”, tha Hoti.

Hoti tha se pret që shkeljet e tilla të auditohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

“Disa qeveri me radhë kishin nënshkruar marrëveshje me Ambasadën Britanike, ku bordet dhe udhëheqësit e institucioneve të pavarura përzgjidheshin përmes konkursit publik, pavarësisht se si definohej me ligj. Kjo praktikë e mirë kishte për qëllim zgjedhjen e profesionistëve në këto institucione vitale të shtetit”, tha ai.

“Kjo praktikë u hodh poshtë pa asnjë hezitim nga qeveria që ” promovon transparencën dhe drejtësinë”!!!”.

“E vërteta është se: (i) tenderët njëburimorë, (ii) pagesa e avanceve për shpenzime kapitale dhe (iii) mbyllja për publikun e procedurave të prokurimit janë tri problemet kryesore në prokurim gjatë mandatit të kësaj qeverie. Këto probleme potencialisht mund të kushtojnë miliona euro për buxhetin e Kosovës”.

Go to TOP