Grida Duma akuzon Bashën: Refuzove të denoncoje aferën e Portit të Durrësit

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka lëshuar akuza të forta ndaj Kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në Shqipëri.

Duma thotë se kandidati i Durrësit është zgjedhur pa marrë mendimin e saj si drejtuese politike e këtij qarku si dhe Basha ka refuzuar që të denoncojë në fushatë “aferën e Portit të Durrësit.”

“Kandidati i Librës [ish-partia e Ben Blushit] që e vure shef shtabi dhe i gjithë shtabi të kërkoi për tre jave me radhë të vije në Durrës dhe të denoncoje aferën e Portit të Durrësit – e refuzove në mënyrë kategorike”, shkruan deputetja e PD-së.

Duma gjithashtu ka akuzuar kreun e PD se përmes zyrës së shtypit të partisë po shpërndan informacione të pavërteta kundër saj.

Reagimi i Dumës vjen pas deklaratës së bërë në mbledhjen e kryetarëve të degëve të PD, ku drejtuesi i fushatës së kandidatit në Durrës Luan Hoti, Rezart Thupi e akuzoi se nuk është përfshirë sa duhet në fushatë.

“Ju si kryetar partie, sollët si të deleguar me shumë pushtet zonjën Duma, që e dëgjova dje me shumë interes ku kërkonte dorëheqjen tuaj. E dërguara politike zonja Duma ka ardhur një herë në 3 ditë. Publikoi foto pa kandidatin. Organizoi takim me gratë dhe u anashkalua takimi për një qokë familjare”, tha ai.

Duma që deri dje ishte një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Bashës ka ironizuar deklaratën e tij se nuk ka humbur asnjë betejë.

“Lulzim pas hirit të betejave të pa humbura nuk lulzojnë dot as shkurret e fitimeve me sakrificat e njerëzve”, përfundon Duma. 

Go to TOP