Gërvalla pret Dr. Monika Hauser: Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale mbetet obligim moral dhe institucional

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur në Ministrinë e Drejtësisë Dr. Monika Hauser, themeluese dhe kryetare e organizatës Medica Mondiale, një nga figurat më të njohura ndërkombëtarisht në mbrojtjen e grave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konflikteve.

Gërvalla e cilësoi vizitën e Dr. Hauser si një nder të veçantë duke vlerësuar kontributin e saj shumëvjeçar në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe në luftimin e dhunës seksuale si armë lufte.

Gjatë takimit, ku ishte e pranishme edhe Mirlinda Sada nga Medica Gjakova, u diskutua për nevojën e luftimit të stigmës dhe ri-traumatizimit të të mbijetuarve, rëndësinë e një qasjeje të ndjeshme ndaj traumës në sistemin e drejtësisë, si dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për mbështetjen e tyre.

Sipas Gërvallës, drejtësia tranzicionale nuk mund të jetë e plotë pa adresimin e traumës, pa njohjen e dinjitetit të të mbijetuarve dhe pa krijimin e hapësirave të sigurta për dëshmitë e tyre. Ajo theksoi se dënimi i autorëve të krimeve mbetet parakusht për rikthimin e dinjitetit të viktimave dhe funksionimin e plotë të drejtësisë.

Në takim u bisedua gjithashtu për rëndësinë e kujtesës kolektive gjithëpërfshirëse, bashkëpunimin rajonal në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe mundësinë që përvoja e Kosovës të shërbejë si model për shoqëri të tjera që vazhdojnë të përballen me pasojat e luftës.

Gërvalla vlerësoi se puna dhe përkushtimi jetësor i Dr. Monika Hauser dëshmojnë se dinjiteti i të mbijetuarve, e vërteta dhe drejtësia nuk janë vetëm çështje politike apo juridike, por mbi të gjitha obligime njerëzore dhe morale.

Në fund, ajo e falënderoi Dr. Hauser për vizitën, ngrohtësinë njerëzore dhe bisedën frymëzuese duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. /Kosova.info/


Go to TOP