“Pastrimi” kërkon ndjesë për vonesën në grumbullimin e mbeturinave në disa lagje të Prishtinës
Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar se në disa lagje të kryeqytetit dhe në qytetet e tjera ku operon janë shënuar vonesa në grumbullimin e mbeturinave, duke kërkuar ndjesë nga qytetarët për mosrealizimin e plotë të shërbimit.
Sipas kësaj kompanie, situata ka ardhur si pasojë e ndryshimeve në orarin e operimit të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), e cila ka vendosur mbylljen e deponisë në Mirash nga ora 00:00.
Ky ndryshim ka pamundësuar dhe do të pamundësojë edhe në ditët në vijim përfundimin e ciklit të planifikuar të operimit gjatë orëve të natës.
Sqarojmë se menaxhimi i deponisë nuk është në kompetencë të KRM “Pastrimi”. KMDK është ndërmarrje publike qendrore dhe funksionon e pavarur nga KRM “Pastrimi”.
Pavarësisht kësaj situate, ekipet tona mbeten të angazhuara maksimalisht për të rikuperuar vonesat dhe për të vazhduar shërbimin sa më shpejt, me qëllim që të minimizohet çdo ndikim për qytetarët dhe shëndetin publik.
Njëkohësisht, ju njoftojmë se jemi në komunikim të vazhdueshëm me menaxhmentin e deponisë për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, thonë nga “Pastrimi”
