Forcohet bashkëpunimi për rikthimin e aseteve

Udhëheqësi i Zyrës për Rikthimin e Aseteve, njëherësh prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, ka pritur në takim një delegacion nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) e Shqipërisë, të kryesuar nga Risena Xhaja.

Delegacioni ishte i shoqëruar edhe nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AAPSK-së në Kosovë, Alban Sutaj.

Sipas komunikatës, në takim u diskutua për funksionimin e Zyrës për Rikthimin e Aseteve, si dhe për çështje që ndërlidhen me ngrirjen, sekuestrimin, konfiskimin dhe rikthimin e aseteve të fituara me vepër penale, me theks të veçantë në ngrirjen e pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe në shitjen apo shfrytëzimin e saj.

“U zotuam se do të vazhdojmë bashkëpunimin, në të mirë të zbatimit sa më efektiv dhe sa më të drejtë të dispozitave ligjore, në raport me ngrirjen, sekuestrimin, konfiskimin dhe rikthimin e aseteve të fituara me vepër penale”, thuhet në komunikatë.

Hyseni falënderoi përfaqësuesit e AAPSK-së për vizitën, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në forcimin e sundimit të ligjit. /Kosova.info/


Go to TOP