Shënohet Dita Evropiane e numrit unik emergjent 112
Përmes aktiviteteve promovuese është shënuar Dita Evropiane e numrit unik emergjent 112. Agjencia e Menaxhimit Emergjent thotë se numri unik emergjent 112 ka tani më historikun dhe vlerën e vet për 25 vite në shërbim të qytetarëve në emergjencë.
AME që funksionon në kuadër të MPB-së me ndihmën e transmetuesit publik, Radiotelevizionit të Kosovës, në këtë ditë do të paraqes përmes një reportazhi rëndësinë dhe vlerën e numrit unik emergjent 112 për qytetarët në nevojë
“Si vlerë e përbashkët me vendet e zhvilluara në vitin 2001, aplikohet në kuadër të një pilot- projekti për rajonin e Prizrenit, e më pas edhe në gjithë Kosovën. Deri sa sot kremtojmë ditën e këtij shërbimi me numrin emergjent 112, nxjerrim në sipërfaqe rrugëtimin për më shumë se dy dekada përpjekjesh dhe shërbimi pa kushte 24/7 për të gjithë qytetarët e vendit”, thotë AME.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent rikujton se shërbimi për qytetarët në emergjencë nga ky numër është pa pagesë dhe pa ndërprerje, nga të gjithë operatorët e komunikimeve elektronike në Kosovë.
Sipas AME kjo vazhdon të përfaqësojë vlerën e shtuar drejt orientimeve për integrimet e synuara, e sidomos atij në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile e cila ka vendosur edhe standard për të gjitha vendet aderuese në BE.
