Fadil Fazliu mbërrin në shtëpinë e tij në Kosovë pas lirimit nga Haga

Veterani i UÇK-së, Fadil Fazliu ka mbërritur në shtëpinë e tij në Kosovë, pas lirimit me kusht, pas rishikimit të paraburgimit nga gjykatësi i vetëm i ngarkuar me çështjen e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Lajmin për mbërritjen e tij e ka konfirmuar djali i tij, Gzim Fazliu.

“Mirë se u ktheve në atdhe, babi im, Fadil Fazliu! Me ballin lart dhe me dinjitet të pathyeshëm dole nga burgu i Hagës, ashtu siç ke qëndruar gjithmonë i fortë, i drejtë dhe krenar. Sprovat nuk ta thyen asnjëherë, përkundrazi të bënë edhe më të fortë”, ka shkruar ai në facebook.

Bashkë me Fazliun u lirua sot edhe Bashkim Smakaj. Në vendimin e gjykatës më 3 shkurt thuhet se  rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme ose proporcionale. Gjykatësi vlerësoi se e drejta për liri peshon më shumë se rreziqet e mundshme për pengim të procesit. /Kosova.info/


Go to TOP