“Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, shpallen datat e RLIOF 2025

Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj (RLIOF) do të zhvillohet nga data 23 korrik deri më 2 gusht 2025, duke sjellë edicionin e tij të pestë nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” – një thirrje frymëzuese për të kapërcyer barrierat dhe për të shpalosur fuqinë transformuese të artit.

Festivali konsiderohet jo vetëm si një festë e muzikës por një dëshmi e forcës së ëndrrave dhe vizionit për Kosovën.

Në një vend ku mungon një shtëpi opere, ne nuk pamë një pengesë, por një mundësi për të ndërtuar diçka më të madhe. Me pasion dhe përkushtim, kemi kthyer çdo hapësirë në një skenë tingujsh që përkëdhelin zemrat e publikut. “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” është më shumë se një moto, është fryma që do të na udhëheq në këtë edicion. Artistë nga çdo cep i botës na janë bashkuar, duke treguar se muzika është gjuha universale. Ajo nuk njeh barriera, nuk njeh kufi. Kosova është gati. Është e denjë, dhe ka nevojë për një shtëpi ku arti të marrë frymë, ku talenti të lulëzojë, ku brezat e ardhshëm të besojnë se ëndrrat bëhen realitet”, thuhet në njoftimin e RLIOF.

Tutje theksohet se në këtë 5-vjetor, RLIOF nuk do të ndalet, por synon të krijojë më lart dhe të ndërtojë themelet e së ardhmes.

“Arti nuk ka nevojë për kufi, ai ka nevojë për zemra që besojnë. E në këtë edicion jubilar, një rrugëtim që ka shënjuar historinë e artit operistik në vend, RLIOF ka ndërtuar tashmë një traditë, duke vendosur çdo vit një tullë më shumë për shtëpinë e ardhshme të artit muzikor në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.


Go to TOP