Promemorie për drejtësi: Krijuesit letrarë kërkojnë zbardhjen e vrasjes së shkrimtarit Ymer Elshani dhe Masakrës së Poklekut

Krijuesit letrarë të mbledhur pranë Shtëpisë Muze të shkrimtarit Ymer Elshani në Korroticën e Ulët të Drenasit kanë miratuar një Promemorie, përmes së cilës u bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare të kulturës, asociacioneve të shkrimtarëve dhe institucioneve të drejtësisë që të angazhohen për zbardhjen dhe ndëshkimin e autorëve të Masakrës së Poklekut.

Në dokument theksohet se vrasja e shkrimtarit Ymer Elshani dhe familjes së tij më 17 prill 1999, gjatë Masakrës së Poklekut, përbën një krim të rëndë kundër jetës njerëzore dhe trashëgimisë kulturore, duke kërkuar që ky rast të trajtohet me prioritet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Promemorja kërkon që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e masakrës, ku u vranë 53 civilë të pafajshëm, të dalin para drejtësisë. Po ashtu, u bëhet thirrje institucioneve kulturore, akademive dhe organizatave ndërkombëtare që të mbrojnë kujtesën historike, të dënojnë këtë krim dhe të mbështesin përpjekjet për vendosjen e drejtësisë.

Nënshkruesit kërkojnë gjithashtu që institucionet e Republikës së Kosovës ta përfshijnë këtë rast në të gjitha takimet me mekanizmat ndërkombëtarë si pjesë të pandashme të krimeve të luftës në Kosovë, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Promemorja u nënshkrua nga Izet Abdyli, kryetar i Asociacionit të Letrarëve dhe Artistëve “Art Club Rifat Kukaj”, Teuta Elshani, vajza e shkrimtarit Ymer Elshani, Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha, Mevlyde Mezini Saraqi dhe Zymer Kodra, përfaqësues të shoqatave dhe klubeve letrare nga Kosova. Dokumentit i është bashkëngjitur edhe biografia e Ymer Elshanit, si dëshmi e jetës, veprës dhe kontributit të tij në letërsinë, arsimin dhe kulturën shqiptare. /Kosova.info/

Go to TOP