Eksperti amerikan: Kurti luajti në favor të Vuçiqit dhe Putinit, të merren parasysh këshillat e SHBA-së

Eksperti amerikan, Alon Ben Meir, vlerëson se veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet në veri të vendit, luajtën në favor të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili menjëherë ngriti gatishmërinë e forcave të tij të armatosura dhe i dërgoi ato pranë kufirit me Kosovën.

Kështu është deklaruar Ben Meir në një postim në Facebook, ku theksoi se veprimi i kreut të ekzekutivit të Kosovës ishte pikërisht ajo çfarë donte presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

“Kjo ka rritur edhe më shumë tensionin dhe ka helmuar më tej marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Veprimi i Kurtit ishte pikërisht ajo që dëshironte presidenti rus Putin”, shkroi Ben Meir.

Eksperti amerikan ka potencuar se Putini ishte i vendosur dhe bëri çmos për të destabilizuar Ballkanin, dhe veprimet e Kurtit thjesht përmbushën dëshirat e Putinit.

“Veçanërisht kur BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara po bënin gjithçka që mundeshin për të stabilizuar rajonin, veçanërisht ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të tërbohet”.

Sipas tij, Kurti duhet të marrë parasysh këshillat e BE-së dhe SHBA-së.

“Tërhiqni policinë, të bëni të gjitha përpjekjet për të qetësuar atmosferën dhe të krijoni mjedisin e nevojshëm për të rifilluar negociatat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, përfundoi Ben Meir.

Ndryshe, moskoordinimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të depërshkallëzuar situatën në veri, do të ketë pasoja afatgjata për Kosovën.

Kështu kishte paralajmëruar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë. Sipas tij, një përgjigje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk do të pritet më gjatë se të mërkurën e shtatë qershorit.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka kohë deri këtë të mërkurë që të kthejë përgjigje nëse do apo jo ta pranojë propozimin e SHBA-ve dhe BE-së për qetësimin e situatës në veri.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog, ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por shtoi se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi” – duke aluduar te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne – ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha Escobar gjatë një takimi me gazetarë në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Vizita e tij në Kosovë, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, vjen në kohën e tensioneve të larta në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Situata e sigurisë atje është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave, kanë dalë këta kryetarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Protestat që vazhdojnë në veri kanë kulmuar në përleshje të dhunshme mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në Zveçan, më 29 maj.

Me gjithë thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për ta tërhequr policinë dhe kryetarët shqiptarë nga komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – Qeveria e Kosovës, me në krye Albin Kurtin, nuk ka marrë ndonjë hap në atë drejtim.

Go to TOP