Mediat italiane: Albion Rrahmani te Venezia

Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, është shumë pranë një transferimi në Serie A.

Sipas mediave italiane, Venezia ka arritur marrëveshje me Spartën e Pragës për blerjen e kartonit të 25-vjeçarit.

Marrëveshja parashikon një pagesë fikse prej 7.5 milionë eurosh, ndërsa përmes bonuseve shuma totale mund të arrijë në 9.5 milionë euro. Gjithashtu, Sparta e Pragës do të ruajë 10 për qind të vlerës së një shitjeje të ardhshme të futbollistit.

Nëse transferimi zyrtarizohet, Rrahmani do të rikthehet në një nga kampionatet më të forta të Evropës, pas një periudhe të suksesshme në futbollin çek.

Reprezentuesi i Kosovës iu bashkua Spartës së Pragës në verën e vitit 2024 nga Rapidi i Bukureshtit për rreth pesë milionë euro dhe gjatë dy sezoneve me klubin çek u shndërrua në një nga sulmuesit më të rëndësishëm të skuadrës.

Në edicionin e fundit, ai regjistroi 16 gola dhe katër asistime në 49 ndeshje zyrtare, ndërsa në Ligën e Konferencës kontribuoi me katër gola në 13 paraqitje.

Edhe me fanellën e Kosovës, Rrahmani ka qenë një nga lojtarët kyç të repartit ofensiv. Që nga debutimi i tij në shtator të vitit 2023, ai ka zhvilluar 25 ndeshje, duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar një asistim.

Nga ana tjetër, Venezia rikthehet në Serie A pas triumfit në Serie B sezonin e kaluar dhe trajneri Giovanni Stroppa po punon për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Afrimi i Rrahmanit shihet si një nga lëvizjet kryesore për të përforcuar sulmin e ekipit para nisjes së sezonit të ri në elitën e futbollit italian. 


Go to TOP