Hazard vlerëson Yamal-in: Më kujton veten në fillimet e mia
Ish-ylli i Belgjikës, Eden Hazard, ka thurur elozhe për talentin e ri të Spanjës, Lamine Yamal, pas paraqitjeve të tij në Kupën e Botës 2026, duke e krahasuar me fillimet e karrierës së tij.
Spanja siguroi kualifikimin në 1/8 e finales pas fitores 3-0 ndaj Austrisë, një ndeshje në të cilën 18-vjeçari Yamal ishte sërish pjesë e formacionit titullar, edhe pse nuk arriti të shënojë.
Pavarësisht mungesës së golit, paraqitja e tij u vlerësua për ndikimin në lojë dhe kreativitetin në sulm, duke ndihmuar Spanjën të vazhdojë rrugëtimin drejt titullit të parë botëror që nga viti 2010.
Hazard, në një intervistë për Stake, tha se Yamal i kujton atë në fillimet e karrierës së tij.
“Lamine Yamal më kujton paksa kur fillova të luaja. Isha në të njëjtën moshë dhe të gjithë kishin pritshmëri të mëdha,” u shpreh Hazard.
“Por nëse ai vazhdon të shijojë lojën dhe të luajë siç di, mund të ketë një Botëror shumë të madh. Është tipi i lojtarit që njerëzit duan ta shohin. Futbolli është për këtë: të argëtohesh dhe të bësh njerëzit të ëndërrojnë,” shtoi ai.
Ndërkohë, Spanja do të përballet me Portugalinë në 1/8 e finales, në një duel të fortë që do të zhvillohet në Dallas.
Yamal, nga ana e tij, ka deklaruar se skuadra spanjolle nuk ka frikë nga asnjë kundërshtar dhe është e fokusuar vetëm te progresi në turne.
“Duhet të përmirësohemi në lojë dhe intensitet, por kemi besim te cilësia jonë. Nuk kemi frikë nga askush; ne jemi Spanja,” tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se do të ishte një nder të përballej me Cristiano Ronaldon, por fokusi i tij mbetet vetëm fitorja e ndeshjes.
