Argjentina i mbijeton “makthit” të Kepit të Gjelbër

Argjentina u detyrua të djersijë deri në minutat shtesë për të siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, teksa mposhti me rezultatin 3-2 Kepin e Gjelbër në një përballje spektakolare të zhvilluar në Miami, Florida.

Kampionët e botës kaluan në avantazh në minutën e 29-të falë Lionel Messit, i cili kontrolloi në mënyrë perfekte një pasim diagonal të Lisandro Martínez dhe dërgoi topin në rrjetë. Me këtë gol, ylli argjentinas ngjitet në kuotën e shtatë realizimeve në turne, duke marrë kryesimin në garën për “Këpucën e Artë”.

Kepi i Gjelbër nuk u dorëzua dhe barazoi në minutën e 59-të me Deroy Duarte, i cili finalizoi një aksion të bukur të nisur nga Ryan Mendes.

Argjentina provoi me ngulm të rikthente epërsinë, por portieri Vozinha ishte në një mbrëmje të jashtëzakonshme, duke ndalur disa tentativa të rrezikshme të Messit dhe shokëve të tij.

Rezultati 1-1 mbeti i pandryshuar deri në fundin e kohës së rregullt, duke e çuar sfidën në shtesë.

Vetëm pak minuta pas nisjes së kohës shtesë, Lisandro Martínez riktheu në avantazh Argjentinën, duke shënuar për 2-1 pas një goditjeje nga këndi. Megjithatë, Kepi i Gjelbër befasoi sërish, pasi Sidny Lopes Cabral realizoi një gol spektakolar nga një kënd shumë i vështirë, duke barazuar shifrat në 2-2.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt penalltive, Argjentina goditi për herë të tretë. Cristian Romero shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Messi, ndërsa topi devijoi lehtë nga Diney Borges përpara se të përfundonte në rrjetë.

Në minutat e mbetura, Kepi i Gjelbër kërkoi me ngulm një tjetër mrekulli, por Emiliano Martínez ndali një goditje të rrezikshme dënimi të Lopes Cabral, duke vulosur fitoren 3-2 të Argjentinës.

Me këtë sukses, “La Selección” siguron kualifikimin në fazën e 1/8-ave, ku do të përballet me Egjiptin.

Nga ana tjetër, Kepi i Gjelbër largohet nga Botërori pas humbjes së parë në turne, por me një paraqitje historike që i ka bërë krenarë tifozët e tij.

REZULTATI:

Argjentinë 3-2 Kepi i Gjelbër

Messi 29′, Lisandro Martinez 92′, Romero 111′ / Duarte 59′, Cabral 103′


Go to TOP