Abdixhiku: SHBA-ja është miku ynë i palëkundur, urime 4 Korriku!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë duke e cilësuar SHBA-në si aleatin më të rëndësishëm dhe mbështetësin vendimtar të Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe shtetndërtimit.

Abdixhiku theksoi se 4 Korriku i vitit 1776 shënon lindjen e një shteti të ndërtuar mbi idealet e lirisë, demokracisë, dinjitetit njerëzor dhe sundimit të ligjit, vlera që, sipas tij, kanë frymëzuar popujt në mbarë botën.

Ai vlerësoi se për më shumë se dy shekuj SHBA-ja ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së demokracisë, të drejtave të njeriut dhe stabilitetit ndërkombëtar, ndërsa për Kosovën mbetet “miku ynë i palëkundur, partneri ynë më i rëndësishëm dhe mbështetësi vendimtar në rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit të demokracisë”.

Kreu i LDK-së nënvizoi se orientimi euroatlantik i Kosovës dhe miqësia e përhershme me SHBA-në mbeten shtylla themelore të politikës së LDK-së duke kujtuar se ky ishte edhe vizioni i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në fund të mesazhit, Abdixhiku ritheksoi përkushtimin për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së dhe uroi Qeverinë dhe popullin amerikan me rastin e Ditës së Pavarësisë.

“Urime 4 Korriku! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë e përhershme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP