Dyshohet se shtyu familjen drejt vetëvrasjes, Ergys Arra: Nuk i kam dhunuar

31-vjeçari Ergys Arrazi ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten dhe 3 fëmijët, të cilët dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna, teksa deri më tani është gjetur vetëm trupi i vajzës 9 vjeçe.

Në deklaratën e tij në policinë vendore të Shkodrës, Arrazi i ka qëndruar deklaratës së tij të bërë tre ditë më parë, kur ka denoncuar humbjen e bashkëshortes dhe fëmijëve, fëmijët pa pasur idenë se ku ndodheshin.

Arrazi është shprehur se ka pasur një marrëdhënie normale me bashkëshorten dhe fëmijët duke thënë: “Nuk e kam idenë përse bashkëshortja ka ndërmarrë këtë veprim”.

Bëhet me dije se në momentin kur i është komunikuar se njëra prej vajzave është gjetur e pajetë, ai ka qëndruar i ftohtë duke mos bërë asnjë reagim. Arrazi nuk ka pranuar asnjë prej dy veprave penale që rëndojnë mbi të “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”, duke deklaruar se nuk është ai shkaktari i kësaj ngjarje të rëndë.

Po ashtu dyshohet se motra e viktimës me datën 2 maj është takuar me Ergys Arrazin dhe kanë zhvilluar një bisedë e cila dyshohet se lidhet me problemet e fundit të ndodhura në familjen Arrazi. Motra e viktimës ka deklaruar pas ngjarjes së kunati i saj ka ushtruar dhunë në familje psikologjike dhe fizike, gjë e cila sipas saj ka detyruar të motrën të ndërmarrë veprimin e rëndë.

Gjithashtu policia ka dyshime se prej pak kohësh, Arrazi është parë në shoqërinë e një vajze tjetër gjë e cila dyshohet se ka shtuar konfliktet në familje. Policia është duke verifikuar çdo dëshmi të mundshme dhe informacione bashkë me prokurorinë për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë.

Go to TOP