Xavi: Asgjë s’ka ndryshuar, jam gati për sezonin tjetër

Trajneri i Barcelonës Xavi Hernandez ka hedhur poshtë spekulimet se mund të shkarkohet, duke deklaruar se nuk ka biseduar me presidentin Joan Laporta dhe është gati për sezonin e ri.

Mediat katalonase raportuan se situata në Barcelonë është mjaftë e tensionuar, që kur Xavi kritikoi gjendjen financiare të skuadrës.

Megjithatë, Xavi thotë se s’i interesojnë fare këto spekulime dhe që ka raporte të mira me presidentin dhe drejtorin sportiv.

“Nuk mund të të them më shumë se klubi më ka dhënë qetësi dhe kam dëshirën e njëjtë për të vazhduar këtë sezon dhe të radhës”.

“S’më interesojnë spekulimet. I shoh informacionet, por nuk më interesojnë. Besimi i presidentit nuk ka ndryshuar dhe as i Decos. Mediat shkruajnë dhe publikojnë gjëra”.

“Jam në kontratë dhe nëse duhet të bisedojmë prapë me presidentin, atëherë flasim. Çdo gjë është e njëjtë si para tre javëve kur njoftuam vazhdimësinë time. Nëse ka ndryshime, atëherë iu njoftojmë. Nuk kemi biseduar më”.

Në anën tjetër, pas ndeshjes ndaj Vallecanos pritet të merret vendimi përfundimtar mbi të ardhmen e Xavit.

Go to TOP