Dyshime për ngecje të Parkut Solar 100 MW – kërkohet sqarim nga Qeveria
Analisti Shenoll Muharremi ka ngritur shqetësime lidhur me ecurinë e projektit të Parkut Solar 100 MW në Kosovë duke kërkuar transparencë të menjëhershme nga Qeveria për gjendjen reale të tij.
Sipas Muharremit, gazetari Ermal Panduri, i cili përcjell sektorin e energjisë, ka deklaruar se projekti mund të ketë dështuar. Po ashtu, sipas tij, edhe raportimet e fundit të Radio Evropa e Lirë nga terreni kanë ngritur dyshime, pasi në lokacionin ku pritet të ndërtohet parku nuk janë vërejtur zhvillime konkrete apo instalim i paneleve solare.
Muharremi thekson se Qeveria e Kosovës duhet të dalë menjëherë me sqarim publik për të informuar qytetarët dhe tatimpaguesit nëse projekti është në dështim apo në fazë të vonuar të zbatimit.
Ai paralajmëron se, nëse një projekt energjetik prej 100 MW nuk realizohet brenda disa viteve, kjo do të përbënte sipas tij një dështim serioz me pasoja ekonomike, përfshirë ndikimin në çmimet e energjisë, inflacionin dhe sigurinë energjetike të vendit.
Muharremi shton se përgjegjësit politikë duhet të japin llogari për ecurinë e projektit dhe të shmangin, siç shprehet ai, çdo mungesë transparence në një sektor strategjik për vendin. /Kosova.info/
