Dorëheqja e Ahmetxhekajt, sindikatat e RTK-së e mirëpresin, AGK e shqetësuar

Pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, reagoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. AGK-ja rikujton se Kosova këtë vit ka shënuar rënien më të madhe të viteve të fundit, kur është renditur për 19 vende më poshtë në Indeksin e Lirisë së Medies nga “Reporterët pa Kufij”. Gjithashtu, në lidhje me dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, reaguan edhe tri sindikatat e pavarura të transmetuesit publik, të cilat mirëpritën dorëheqjen e Ahmetxhekajt.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës deklaron se Bordi i RTK-së duhet të shpjegojë nëse i nënshtrohet presionit politik në vendimmarrjen e vet, dhe nëse detyrimi për largimin e Ahmetxhekajt, ka ardhur si pasojë e kësaj. Ndër të tjera, AGK-ja bën thirrje për adresimin e duhur të ankesave për mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit në Radio Kosova 1.

Ndërkohë, në reagimin e saj, Sindikata e Pavarur e RTK-së mirëpret dorëheqjen e Shkumbin Ahmetxhekaj nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Sipas kësaj sindikate, gjatë këtyre dy vjet e gjysmë mandat, Ahmetxhekaj ka dështuar pothuajse në të gjitha fushat, mes të cilave, edhe realizimin e reformës organizative, aq shumë të nevojshme në Transmetuesin Publik.

Në lidhje me këtë rast, reagoi edhe Sindikata e Punëtorëve e RTK-së, e cila gjithashtu mirëpret dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj. Përveç të tjerave, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së pret nga Bordi i RTK-së që të organizojë konkurs të rregullt për pozitën e drejtorit të përgjithshëm në afat ligjor, por edhe kompletimin e të gjitha pozitave që janë me ushtrues detyre.

Për dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm, reagoi edhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, duke theksuar se dorëheqja e Ahmetxhekajt, ndër të tjera, vjen pas dështimit në shumë fusha, duke përfshirë moskrijimin e një ekipi profesional, moskalimin e reformës dhe dënimet prej 30 mijë eurosh që RTK ka marrë gjatë mandatit të tij.

Go to TOP