Dogana e Kosovës mohon akuzat: Deklaratat për hetimin e derivateve janë të pavërteta dhe dezinformuese
Dogana e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave publike të bëra ditët e fundit lidhur me hetimin dhe arrestimin e nëntë personave të dyshuar për krim të organizuar në sektorin e derivateve të naftës duke i cilësuar ato si të pavërteta, të pabazuara dhe dezinformuese.
Përmes një njoftimi, Dogana ka bërë të ditur se, me vendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka qenë pjesë e ekipit të përbashkët hetimor që nga fazat e para të rastit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale. Sipas saj, dërgesa e parë e dyshuar është ndaluar në nëntor të vitit 2024 duke shënuar fillimin e një hetimi të koordinuar ndërinstitucional.
Dogana rikujton gjithashtu se, që nga maji i vitit 2021, kontrolli laboratorik i cilësisë së derivateve të naftës kryhet në laboratorin e saj, pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Sipas institucionit, ky sistem ka kursyer rreth 1.5 milion euro në kosto laboratorike dhe ka garantuar kontrolle profesionale, të paanshme dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Institucioni ka hedhur poshtë pretendimet e bëra në emisionin “Debat Plus”, në portalin Vox dhe raportime të ngjashme duke theksuar se ato dëmtojnë padrejtësisht imazhin e institucioneve dhe krijojnë konfuzion te qytetarët.
Dogana ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbrojë interesin publik, sigurinë e konsumatorit dhe sundimin e ligjit, ndërsa ka paralajmëruar se çdo përpjekje për ta cenuar punën e saj përmes shpifjeve dhe dezinformatave do të trajtohet në përputhje me ligjin.
Në fund, Dogana e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e hapur për mediat dhe shoqërinë civile duke ofruar transparencë të plotë mbi punën dhe kapacitetet e saj, të mbështetura edhe në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. /Kosova.info/
