Komisioni i AUV: Vita nuk respektoi vendimin e ministrit Muja, rezultatet në pritje
Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe i Veterinarisë ka konstatuar se fabrika e qumështit “Vita” ka shkelur vendimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja të 10 majit 2026, me të cilin ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat për përpunimin e qumështit.
Megjithatë, AUV thekson se gjetjet përfundimtare do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të analizave laboratorike.
Në konferencën për media, kryesuesi i Komisionit për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve dhe udhëheqësi i Zyrës Rajonale të Prizrenit, Durak Zyraku, tha se konstatimi i komisionit bazohet në gjetjet e inspektorëve që kanë qenë në terren.
“Ne si komision, kemi konstatuar, mbas të gjeturave të inspektorëve që kanë qenë në teren, që subjekti në fjalë ka thyer vendimin e ministrit të datës 10 maj 2026, ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirës dhe gjërave të tjera në fabrikat e përpunimit të qumështit. Kjo ka qenë, është konstatimi fillestar i komisionit”, deklaroi ai.
Zyrapi sqaroi se ai dhe disa zyrtarë të tjerë nuk kanë marrë pjesë në inspektimin brenda fabrikës, duke mohuar raportimet se i gjithë komisioni ka qenë prezent gjatë kontrollit.
Ndërkaq, udhëheqësi i Inspektoratit të AUV, Eroll Shehu, tha se procesi i inspektimit është zhvilluar në mënyrë transparente, por institucioni nuk do të publikojë gjetjet deri në marrjen e rezultateve laboratorike.
Ai shtoi se operatori ka lejuar qasje në të gjitha hapësirat e fabrikës dhe se linja e prodhimit të qumështit të freskët është e ndarë fizikisht nga ajo ku prodhohen produktet me origjinë bimore.
Një ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i fabrikës Vita, Artan Spahija, deklaroi se pezullimi i përkohshëm i grumbullimit të qumështit ishte vendim i bordit të kompanisë dhe jo masë e institucioneve, duke kërkuar që rezultatet laboratorike të publikohen sa më shpejt për të sqaruar situatën.
