Carragher: Harry Kane e meriton Topin e Artë
Ish-mbrojtësi i Liverpoolit dhe analisti i njohur anglez, Jamie Carragher, beson se sulmuesi i Anglisë, Harry Kane, e meriton ta fitojë çmimin prestigjioz “Topi i Artë”, bazuar në paraqitjet e tij gjatë 12 muajve të fundit.
Në kolumnën e tij për “The Telegraph”, Carragher vlerësoi sezonin e jashtëzakonshëm të kapitenit të Anglisë, duke theksuar se forma e tij ka qenë e pakrahasueshme.
“Po të votohej sot për ‘Topin e Artë’, Harry Kane do të ishte fituesi i merituar. Goli i tij ndaj RD Kongos ishte i 72-ti këtë sezon. Vetëm Lionel Messi ka arritur shifra të tilla në vitet e fundit. As Cristiano Ronaldo nuk ka qenë kaq produktiv në një sezon të vetëm”, shkroi Carragher.
Megjithatë, ai pranon se Kane mund ta ketë të vështirë ta fitojë çmimin në një vit Botërori.
“Sipas asaj që ka bërë në 12 muajt e fundit, Kane duhet ta fitojë ‘Topin e Artë’. Fatkeqësisht, kjo ndoshta nuk do të ndodhë, sepse në një vit të Kupës së Botës, çmimi zakonisht i takon yllit të kombëtares që shpallet kampione”, shtoi ai.
Carragher u shpreh gjithashtu skeptik për gjasat e Anglisë për ta fituar Kupën e Botës 2026.
“Edhe pse do të doja të besoja se Anglia mund ta fitojë ende trofeun, paraqitjet e fundit nuk japin arsye për një optimizëm të tillë”, përfundoi ish-reprezentuesi anglez.
