E konfirmon Ancelotti: Neymar do të jetë titullar ndaj Norvegjisë
Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Neymar do ta nisë si titullar ndeshjen e sontme ndaj Norvegjisë, e vlefshme për 1/8 e finales së Kupës së Botës 2026.
Seleksionuesi italian bëri të ditur se sulmuesi 34-vjeçar është rikuperuar mjaftueshëm për të luajtur një ndeshje të plotë dhe pritet të formojë repartin ofensiv së bashku me Vinicius Junior.
“Neymar mund të luajë 90 minuta dhe do të luajë përkrah Vinicius Junior. Besoj se do të jenë së bashku në fushë”, deklaroi Ancelotti.
Neymar bëri debutimin e tij në këtë Botëror në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ndaj Skocisë, kur u aktivizua në minutën e 76-të, pas një periudhe të gjatë rikuperimi nga një dëmtim i shkallës së dytë në pulpën e këmbës.
Brazili do të kërkojë fitoren e parë historike ndaj Norvegjisë, pasi në katër përballjet e mëparshme nuk ka arritur ta mposhtë kombëtaren nordike. Përballja në stadiumin “MetLife” pritet të jetë një nga më interesantet e fazës së 1/8 së finales.
Nga ana tjetër, Ancelotti pranoi se ka edhe mungesa në skuadër. Lucas Paqueta pritet të mungojë për shkak të një dëmtimi në muskujt e kofshës, ndërsa Raphinha nuk është ende në gjendjen optimale fizike dhe me shumë gjasa do ta nisë takimin nga stoli.
