Fermerët Kosovarë të Qumështit – AUV-it: Publikoni rezultatet për qumështoren “Vita”, në të kundërtën protestë e paparë
Fermerët kosovarë të qumështit kanë reaguar pas konferencës për media të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) lidhur me situatën në qumështoren “Vita” në Istog, duke vlerësuar se nuk është ofruar asnjë informacion i ri për fermerët që vazhdojnë të presin rifillimin e grumbullimit të qumështit të freskët.
Si shenjë pakënaqësie, disa prodhues gjatë ditës kanë derdhur qumështin në lumë duke protestuar ndaj bllokimit të grumbullimit.
Shoqata i ka bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe AUV-së që të publikojnë rezultatet e mostrave të marra në qumështoren “Vita” gjatë muajve prill dhe maj.
“Pse i tërë ky hezitim? Po e përsërisim, në të kundërtën mosgrumbullimi do të pasojë me një protestë të paparë në Prishtinë”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
Po ashtu, në reagim kërkohet publikimi i rezultateve për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
“Lutje publike: Publikoni rezultatet për mostrat e muajit prill dhe muajit maj 2026 në mënyrë të shmanget një situatë e pakëndshme për gjithsecilin”, thuhet në deklaratën e publikuar në Facebook.
Nga ana tjetër, më herët gjatë ditës, Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinarisë ka konstatuar se fabrika e qumështit “Vita” ka shkelur vendimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja të 10 majit 2026, me të cilin ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat për përpunimin e qumështit.
Megjithatë, AUV thekson se gjetjet përfundimtare do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të analizave laboratorike.
Në konferencën për media, kryesuesi i Komisionit për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve dhe udhëheqësi i Zyrës Rajonale të Prizrenit, Durak Zyraku, tha se konstatimi i komisionit bazohet në gjetjet e inspektorëve që kanë qenë në terren.
