Çmimi i naftës, Berisha kërkon heqjen e taksave dhe goditjen e spekulantëve të tregut

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka kërkuar sot nga qeveria heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe taksën e qarkullimit për naftën, e cila në ditët e fundit ka arritur çmimin më të lartë historike, e ndikuar rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare si pasojë e luftës në Ukrainë.

Berisha, gjithashtu kërkoi heqjen e TVSH për energjinë si dhe rimbursimin e energjisë për familjet në nevojë. Sipas ish-kryeministrit, qeveria gjithashtu ka për detyrë që të mbrojë qytetarët nga spekulantët që përfitojnë nga situata e krijuar.

“Denoncojmë qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës dhe qeverisë ndaj situatës së krijuar javë dhe ditët e fundit me rritjen galopante të çmimeve të energjisë, produkteve te tjera, por dhe ushqimeve”, ka thënë në një konferencë për shtyp.

“Nuk mohohet që Europa është në luftë dhe hijet e saj përhapen në mbarë kontinentin, përfshi këtu dhe Shqipërinë. Në këtë luftë, krahas armikut kryesor që janë hordhitë ruse që po kryejnë krime kundër njerëzimit dhe genocid në Ukrainën e lirë dhe të pavarur, hordhitë e dyta në mbarë Evropën janë spekulantët që duan si shushunja të pasurohen nga lufta. Është në detyrën më parësore të qeverive të vendeve të BE-së të luftojnë me vendosmëri spekulantët”, ka thënë Berisha.

“Kohë përpara se të niste kjo luftë, të gjitha vendet e BE kanë ndërmarrë një seri masash që kishin si qëllim mbrojtjen e qytetarëve. Sot Shqipëria ka çmimet më të larta në Evropë për naftën dhe gazin, ndonëse është një vend prodhues i naftës dhe gazit. Çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti i regjistruari deri më sot në Evropë, pavarësisht se rrogat janë 10 herë më të ulëta se në Austri dhe Gjermani”, ka theksuar Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, rritja e çmimit të naftës është rezultat i një “seri taksash të vendosura në arbitraritet dhe kundër logjikës fiskale.”

Çmimi i naftës në Shqipëri është rritur sërish sot, duke kapur një tjetër nivel rekord prej 260 lekësh [2 euro] për litër.

Shtrenjtimi me 10 lekë [0.08 euro] deri në 20 lekë [0.16 euro] brenda ditës është reflektuar në të gjitha pikat e karburanteve, pas rritjes së çmimeve nga operatorët që shesin me shumicë.

Tregtarët e lidhin situatën me rritjen e çmimeve në bursa ndërkombëtare, ku një fuçi naftë bruto kapi vlerën e 129 dollarëve ditën e djeshme. Por përveç çmimit, sipas tyre ka vështirësi edhe në sigurimin e produktit.

Go to TOP