Çështja e Zvërnecit, Rama reagon sërish: Pse Shqipëria të mos ketë Costa Navarinon e saj?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sërish ka reaguar për çështjen e Zvërnecit.
Mëngjesin e sotëm ai ka sjellë në vëmendje shembullin e projektit
turistik Costa Navarino në Greqi, duke e cilësuar atë si dëshmi se
projektet e mëdha zhvillimore mund të transformojnë një territor pa
dëmtuar ekuilibrin mes natyrës dhe komunitetit.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se edhe Costa Navarino
ishte kundërshtuar fillimisht, por sot është një nga destinacionet
turistike më prestigjioze të Evropës.
“Mirëmëngjesi dhe me këtë histori të vërtetë nga fqinjët tanë të
jugut, ju uroj ditë të mbarë. Costa Navarino mund të quhet ndryshe
historia e zakonshme e lajmëtarëve të katastrofës, atyre që nuk
ëndërrojnë po paragjykojnë ëndrrat e të tjerëve; nuk projektojnë po
gjykojnë projektet e të tjerëve; nuk ndërtojnë po përgojojnë ata që
ndërtojnë. Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre, sa më
ambicioz projekti, aq më e madhe katastrofa e paralajmëruar, sa më i
madh ndërtimi aq më i llahtarshëm përgojimi i atyre që ndërtojnë. Ndodhi
në Greqi. Me Costa Navarinon. Para se të ndërtohej, u tha se po vinte
fundi i botës. U tha se do të shkatërrohej natyra. U tha se do të
zhdukej biodiversiteti. U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e
brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë”, ka
shkruar ai.
