Promemorie për Ymer Elshanin: Krijuesit kërkojnë drejtësi për Masakrën e Poklekut

Në Shtëpinë Muze të shkrimtarit Ymer Elshani, në Korroticën e Ulët të Drenasit, u mbajt një aktivitet letrar përkujtimor kushtuar jetës, veprës dhe sakrificës së shkrimtarit, i cili u vra së bashku me familjen e tij në Masakrën e Poklekut më 17 prill 1999.

Aktiviteti u organizua nga Asociacioni i Letrarëve dhe Artistëve “Art Club Rifat Kukaj”, në bashkëpunim me Shtëpinë Muze “Ymer Elshani”. Me këtë rast u prezantua dhe u nënshkrua një promemorie drejtuar institucioneve të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare, përmes së cilës kërkohet sensibilizim për vrasjen e Ymer Elshanit dhe familjes së tij, vendosja e drejtësisë për autorët e Masakrës së Poklekut, si dhe trajtimi i këtij krimi si pjesë e pandashme e krimeve të luftës në Kosovë.

Kryetari i “Art Club Rifat Kukaj”, Izet Abdyli, theksoi se aktiviteti synon të mbajë gjallë kujtesën për shkrimtarin dhe të sensibilizojë opinionin vendor e ndërkombëtar për këtë krim. Ai bëri thirrje që institucionet të sigurojnë përkujdesje të përhershme për Shtëpinë Muze.

Ndërkaq, Teuta Elshani, vajza e vetme e mbijetuar e shkrimtarit, tha se kjo shtëpi është tashmë “shtëpia e kujtesës së përbashkët” duke theksuar se kërkesa e familjes nuk është hakmarrja, por drejtësia dhe njohja e Masakrës së Poklekut si një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit.

Promemorja u nënshkrua nga përfaqësues të disa shoqatave dhe asociacioneve letrare të Kosovës. Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit vizituan Shtëpinë Muze, ku ruhen librat, dorëshkrimet, fotografitë dhe sendet personale të Ymer Elshanit, si dëshmi e jetës dhe trashëgimisë së tij letrare e kulturore. /Kosova.info/


Go to TOP