Bislimi e Blankenborg, flasin për ekonominë dhe dialogun

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg.

“Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu falënderimin e tij për rolin aktiv e të rëndësishëm të Norvegjisë përgjatë viteve, dhe veçanërisht për mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj vendit tonë. Me qëllim intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme”, theksohet në njoftim.

Sipas njoftimit, në takim me theks të veçantë u diskutua mbi fushën e ekonomisë, ku zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi përfaqësuesin Blankenborg me të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që po lëmë pas si dhe masat e ndërmarra nga qeveria.

“U diskutua edhe për raportet me Serbinë e procesin e dialogut. Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi vlerësimin për mbështetjen e Norvegjisë për Republikën e Kosovës dhe për kontributin e vazhdueshëm për zhvillimin dhe sigurinë e rajonit”, theksohet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP