“Biseda me Agim Popën, ku më tregoi të vërtetën rreth akuzës së Enverit për takimin e Mehmet Shehut me Titon në ‘Queen Elizabeth’…”/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së

Edhe vetë Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit apo Ramiz Alia, pasardhësi i diktatorit në pushtet, kanë bërë ndonjë kritikë apo autokritikë pupël për regjimin e diktaturës së proletariatit dhe ndonjë aspekt të veçantë, jo të rëndësishëm, të veprimtarisë së tyre. Nexhmije Hoxha, për shembull, ka shprehur pendesën e saj sepse nuk i kishte lexuar dramat e shkruajtura nga ish anëtari i Komitetit Qendror, Fadil Paçrami, ndërsa ai ishte i dënuar si armik i Partisë prej të shoqit të saj, Enver Hoxhës, vetë asaj dhe oborrit të tyre! Ramiz Alia, nga ana e tij, më teorik, ka deklaruar: “Ndërtojmë duke eksperimentuar, ndërtojmë duke gabuar, ndërtojmë duke ndrequr… do ishte gabim të mendojmë se çdo gjë që bëjmë e bëjmë mirë. Do ishte një mendjemadhësi e palejueshme.”

Sofo Lazri deri në fund të jetës mbetet një mashtrues dhe kampion i mashtrimit. Me shërbimet e tij ndaj diktaturës dhe diktatorit, ai ka pjesën e tij të përgjegjësisë për traumat e shumta e të pallogaritshme, që komunizmi i shkaktoi popullit e vendit. Demokracia nuk e dënoi atë. Ata që ai i quante ballistë e kolaboracionistë, të mundur, nuk u sollën si fitimtarë të pamëshirshëm me të. Thjesht e lanë të vdiste i qetë pasi kishte kryer misionin e tij “historik”!

Për Sofon në shtypin shqiptar është thënë edhe se ka qenë shef i shërbimeve sekrete sovjetike në Shqipëri. Nuk mund as ta pohoj e as ta mohoj këtë gjë. Dihet se “shokët” sovjetikë, kanë rekrutuar jo pak si bashkëpunëtorë të shërbimeve të tyre sekrete midis studentëve të huaj, që vazhdonin studimet në universitetet e tyre. Pavarësisht nga ky fakt, unë jam i mendimit se, sikurse kam lexuar dikund, agjenti më i mirë është ai që i bën shërbimet pa e ditur se është agjent. Një gjë, sidoqoftë, është e sigurt, Sofo i ka bërë shumë shërbime të këqija Shqipërisë. Nga ana tjetër, po të besojmë se ai ka qenë në shërbim të KGB-së, mund të kuptojmë ndoshta edhe një nga arsyet përse ai ishte aq alergjik ndaj meje. Artikujt e mi në “Zëri i popullit”, godisnin, besoj më me zell dhe më me këmbëngulje se ata të kolegëve, padronët e KGB-së në Kremlin, politikën e tyre të brendshme e të jashtme.

Si e kam njohur ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Behar Shtylla!

Një tjetër anëtar i Komitetit Qendror me të cilin jam takuar dhe kam biseduar është edhe Behar Shtylla, ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë. Ai është ministri i Jashtëm, që qëndroi më gjatë se kushdo tjetër në këtë post. Behari njihet ndryshe edhe si “Kisingeri i diplomacisë shqiptare”. Unë jam takuar me të pasi ishte larguar nga ky post dhe, në mos gaboj, ishte Drejtor i Drejtorisë për Marrëdhënie me Jashtë në Komitetin Qendror të Partisë, si të thuash në Ministrinë e Jashtme të Partisë, që drejtonte edhe Ministrinë e Jashtme të qeverisë.

Gjatë ditëve të agresionit sovjetik ndaj Çekosllovakisë, në vitin 1968, puna e Redaksisë së Lindjes, sikurse quhej redaksia e Radios së Jashtme, që përgatiste programet për vendet e ish- bllokut të Evropës Lindore, u përqendrua në demaskimin e tij. Pas disa transmetimesh në Drejtorinë tonë arriti Behar Shtylla. Shefat tanë na thanë të mblidheshim në një nga studiot e Radios ku zakonisht bënim edhe format e edukimit politik si edhe mbledhjet e organizatës së rinisë. Behar Shtylla kishte lexuar disa nga komentet tona dhe shprehu ndonjë vlerësim rreth tyre. Emri i tij ishte i dëgjuar nga ne të gjithë. Duke qenë, pothuajse pa përjashtim, gazetarë të rinj, ne na bënin përshtypje fjalët, mënyra si ai i shprehte mendimet, pse jo edhe zgjuarsia apo urtësia e tij. Midis artikujve për të cilët ai tha fjalë të mira, ishte edhe një i shkruajtur nga unë. Sigurisht u gëzova, sidomos sepse këto fjalë vinin nga dikush që ishte shef i Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror. Ne e njihnin, ose më mirë e ndjenin peshën e fjalëve të tij.

Në atë kohë marrëdhëniet e mia me shefat e Radios kishin filluar të acaroheshin. Fjalët e Behar Shtyllës i gjeja edhe si një mbështetje, të cilën mund ta llogarisja në përballjet me ta. Sigurisht shkoja larg me imagjinatën time. Kolegu dhe shoku im Dervish Dumi, duke ushqyer të njëjtat iluzione, mendoi të shfrytëzonte rastin dhe të ngrinte një sërë problemesh. Ai kritikoi rëndë mënyrën e drejtimit të punës nga shefat tanë dhe drejtori ynë Kiço Pandeli, duke theksuar, sidomos, paaftësinë e tyre. Behar Shtylla, si diplomat karriere, nuk u shpreh fare, madje gjeti një mënyrë për t’i mbyllur problemet. Sigurisht që kështu duhet të vepronte. Ai nuk kishte ardhur për të na gjykuar neve apo shefat tanë. Rrobat tona të palara duhet t’i lanim vetë. Ai kishte ardhur për një problem të caktuar dhe qëndroi vetëm në këtë problem. Behar Shtylla i dinte kufijtë e tij dhe i respektonte këta kufij.

Behar Shtylla i kishte folur mirë për mua, mikut të tij, Myslym Pezës!

Edhe në vitet e ardhshme, kur punoja në Sektorin e Jashtëm të “Zërit të popullit”, Behar Shtylla ka folur disa herë pozitivisht për artikujt e shkruajtur nga unë. Ai kishte marrëdhënie miqësore me Myslym Pezën. Ata kishin punuar disa vite së bashku në Kryesinë e Kuvendit Popullor. Në disa raste Babë Myslymi më ka përsëritur se: “shokët më kanë folur mirë për ty”. Kur donte t’i konkretizonte “shokët” ai më përmendte, pothuajse gjithnjë, emrin e Behar Shtyllës. Edhe në Redaksinë e “Zërit të popullit”, në ndonjë rast, Behar Shtylla më ka përgëzuar për artikuj të veçantë. Kjo gjë, si dikur në Radio Tirana, nuk mund të mos më gëzonte, sidomos kur për të njëjtin artikull, Sofokli Lazri shprehte mendimin e tij krejt të kundërt, përçmues e denigrues.

Behar Shtyllën e kam takuar për herë të dytë gjatë viteve kur punoja në “Zëri i popullit”. Nga Drejtoria e Shtypit e Komitetit Qendror të Partisë, më ngarkuan që të përgatitja një material mbi propagandën e jashtme, domethënë si trajtoheshin problemet e politikës së jashtme në shtypin dhe Radio Televizionin Shqiptar dhe si duhej parë dinamika e tyre në perspektivë. Me këtë rast mua më porositën që të tërhiqja edhe mendimin e Behar Shtyllës dhe të Sofokli Lazrit, të dy specialistë të problemeve ndërkombëtare, njëri pranë Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Qendror dhe tjetri si këshilltar i diktatorit për këto probleme si edhe Drejtor i Institutit të Studimit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Pasi mora kontakt paraprak me ta, u nisa në ditën e caktuar dhe i takova veç e veç, secilin në zyrën e tij në Komitetin Qendror të Partisë.

Me Behar Shtyllën biseda ishte e thjeshtë, si midis miqsh, edhe pse nuk ishim as shokë e as miq. I sigurt në mendimet e tij dhe pa komplikime, ai tha ç’ka kishte për të thënë. Për asnjë moment, nuk la të nënkuptohet se sa i vlefshëm ishte ky takim për mua dhe se pa të unë do të isha i humbur. Krejt ndryshe u zhvillua takimi me Sofo Lazrin. Me mendime të përgjysmuara, të fryra e pretenduese ai donte të tregonte se ishte ai dhe vetëm ai që e njihte problemin. Ndihmesa e tij ishte në fjalët: “Duhet të studiosh. Unë kështu bëj para se të përgatis një material”. Sofo nuk ngurroi t’i shoqërojë këto fjalë me dorën e shtrirë në drejtim të një etazheri të vogël të vjetruar përbri tavolinës së tij të punës. Nuk e di nëse etazheri ishte gjithnjë ashtu siç e pashë unë në atë moment, apo pamja ishte e rastit, jo e zakonshme. Në fakt në të nuk kishte asnjë libër, qoftë i vendosur aty edhe si dekor apo si dëshmitar i rremë që “provon” se sa studiues ishte zotëria i tavolinës pranë!

Takimi i tretë me Behar Shtyllën ka ndodhur në fundin e vitit 1980 në Ambasadën Shqiptare në Paris. Unë isha në atë kohë së bashku me artistët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në një turne njëmujor në Francë. Një mbrëmje, nga fundi i turneut, ambasadori Misto Treska, një burrë simpatik e me humor, tepër popullor, dha një pritje për artistët e Ansamblit. Në pritje ishte i pranishëm edhe Behar Shtylla, që dikur, në vitet 1950-1952, kishte qenë ambasador i Shqipërisë në Francë. Në vitin 1953 ai u emërua Ministër i Jashtëm, duke zëvendësuar diktatorin Enver Hoxha, i cili deri në këtë kohë, përpos postit të kryeministrit, ishte edhe titullar i kësaj Ministrie.

Behar Shtylla përgëzoi Ansamblin e Këngëve dhe Valleve gjatë turneut në Francë

Behari e përgëzoi Ansamblin për suksesin me fjalë të përgjithshme, sikur bëri një rit të detyruar nga rrethanat. Nga ato që tha ai atë mbrëmje më kanë mbetur në kujtesë fjalët që tha për Vaçe Zelën. Vaçja ishte, pa asnjë hamendje, këngëtarja më e madhe shqiptare e kohës. Ajo hapi një epokë të re për këngën shqiptare, depërtoi dhe zuri vend për disa dhjetëvjeçarë në zemrat e shqiptarëve, që e adhuruan atë si perëndeshë e këngës. Ajo, kudo që shkuam, me zërin, interpretimin dhe pasionin e saj elektrizoi edhe spektatorin francez, duke i bërë kështu vendit tonë të izoluar shërbimin më të madh, duke shpërndarë dhe fituar dashuri. Në studion e Radio Lionit ku ishim të ftuar në një nga ditët e para të qëndrimit tonë në Francë, kam parë një punonjëse të saj t’i rrjedhin lotët, kur dëgjonte të interpretuar nga Vaçja “Këngët e vendit tim”, të kompozitorit të mirënjohur Agim Krajka. Asnjë ambasador, asnjë trupë ambasadorësh shqiptarë nuk mund të bënin, në kushtet e kohës, atë që bënin artistët e Ansamblit, atë që bënte Vaçe Zela. Edhe unë e adhuroja Vaçen si këngëtare. Gjatë turneut u kërkoja të tjerëve një cigare, gjoja për vete, në të vërtetë për Vaçen. Ajo nuk kishte marrë paketa me vete nga Shqipëria, sikurse kishin bërë të tjerët, sepse donte ta linte pirjen e duhanit. Për të blerë një paketë cigaresh në tregun francez as që bëhej fjalë. Unë, sikurse i thonë fjalës, e bëja faqen shollë për të.

Me Vaçen, megjithëkëtë, nuk ishte gjithnjë lehtë të bashkëpunoje. Edhe ajo ishte infektuar nga kapriçot e vogla të artistëve të mëdhenj. Një ditë i shkrepet e thotë se nuk kishte pse të këndonte në të gjitha skenat e Francës. Klodi, shoqëruesi ynë francez, na kujtoi me këtë rast se ne kishim përfunduar një kontratë dhe se duhet të respektonim kontratën. Unë paraqisja programin e spektaklit. Një mbrëmje Vaçja më thotë se nuk do të këndonte, pra unë nuk duhet t’ia prezantoja publikut këngën e saj -“Me lule të bukura”. Drejtuesit e Ansamblit, midis tyre kompozitori i shquar, i respektuari dhe i ndjeri Tish Daija, më thonë të prezantoj në skenë para publikut këngën e Vaçes, të cilën, sikurse më tha Tishi, ajo e kishte zgjedhur vetë. Kështu edhe bëra, por Vaçja nuk doli për të kënduar. Për të mbushur “hapësirën”, që u krijua me këtë rast, doli në skenë korri i Ansamblit. Të qeshurat në sallë nuk munguan. Sigurisht ne të gjithëve nuk na erdhi mirë dhe, në një mënyrë apo në një tjetër, ia thamë këtë edhe Vaçes.

Behar Shtylla e mbrojti Vaçe Zelën, kur ajo s’pranoi të këndonte edhe pasi u prezantua emri i saj në skenë!

Pakënaqësitë, siç duket, i kishin vajtur në vesh edhe Behar Shtyllës. Në bisedën e tij, duke qëndruar tek Vaçja, ai tha hapur se artistëve të tillë, me vlera që e kalojnë kohën e tyre, u duhet pranuar edhe diçka që nuk shkon, që nuk respekton me rigorozitet disiplinën e përgjithshme etj., etj. Mendoj se ai kishte të drejtë. Logjika ishte e thjeshtë. Më mirë me Vaçen e madhe në 20 skena të Francës dhe me mungesën e saj në dy apo tre skena, sesa pa të në të gjitha këto skena. Behari  tregoi kështu, sipas meje, se ishte jo vetëm një diplomat i zgjuar edhe jashtë diplomacisë, por se ishte një punonjës i lartë tolerant si shumë pak të tjerë në piramidën partiake e shtetërore të komunizmit shqiptar. Zyrtarisht, siç ndodhte në raste të ngjashme, Vaçja do të duhej të përgjigjej para kolektivit e para Partisë për refuzimin për të kënduar në të gjitha skenat e Francës. Ajo edhe duhej ndëshkuar duke e përjashtuar, për shembull, që të ishte pjesë e trupës artistike në një turne të ardhshëm jashtë shtetit.

Kjo ishte praktika e kohës. Kështu janë sjellur, për shembull, me artisten e merituar Naile Hoxha, interpretuese e njohur e këngës popullore qytetare shkodrane. E kam parë vetë trishtimin e saj kur mbeti jashtë autobusit, me të cilin ne do të udhëtonim për në Francë. Fatmirësisht për Vaçen nuk guxuan të binin asnjëherë kambanat e zymta të Kremlinit shqiptar. Ajo mbeti e paprekur ashtu siç ishte, me talentin e saj të papërsëritshëm, me këngën e saj të fuqishme, me ngjyrat e zërit të saj të kristaltë, me cilësitë dhe mangësitë e njeriut të zakonshëm edhe pse ishte një diva e skenës. U zgjata pak këtu për Vaçe Zelën duke besuar se po plotësoj kështu edhe një borxh ndaj saj edhe pse ajo nuk më ka deklaruar “borxhli”. Kam shkruajtur dikund disa radhë lidhur me festimin e përvjetorit të aktorit të madh të skenës dhe ekranit shqiptar, Kadri Roshit, në Teatrin Kombëtar. Kur zbrita nga skena, pasi përshëndeta Kadri Roshin, në sallë u gjenda në një moment pranë Vaçe Zelës. “Nuk e di a do të thotë njeri fjalë të tilla për mua kur të dal në pension”, më tha ajo. Nuk i thashë gjë asaj atë ditë. Më vonë e kam ndjerë se ajo, panteoni i këngës sonë, priste ndoshta edhe ndonjë fjalë nga unë, ashtu sikurse bëra edhe për Kadri Roshin. Di se prej vitesh ajo jeton në Zvicër pranë së bijës, e ngujuar në një karrige me rrota. Nëse do të ketë ndonjëherë rastin t’i lexojë këto radhë, ndoshta do të kujtojë ato kohë që e mbushën me lavdi, ndoshta do t’i mbushen sytë me lot ashtu siç i mbushen porsa i kujtojnë Shqipërinë dhe “Këngët e vendit tim”

Takimi i fundit me Behar Shtyllën në shtëpinë e tij në Tiranë!

Takimin e fundit me Behar Shtyllën e kam bërë pas rreth 13 apo 14 vjetësh. Pas përmbysjes së komunizmit i kam bërë një vizitë në shtëpinë e tij. Shkaktar u bë Mahmut Jakubi, imam shqiptar i Mynihut. Me të isha njohur rastësisht gjatë një vizite në Shkup. Më saktë, ishte Armand Shkullaku, një nga pionierët e “Rilindjes Demokratike”, dhe një koleg tjetër i yni, ata që e kishin takuar atë në lagjen e kalasë së Shkupit, që banohet nga shqiptarët. Ata më njohën mua me Mahmut Jakubin. Një ditë ai arrin në Tiranë, vjen në Redaksinë e “Rilindjes Demokratike” dhe më thotë se donte të takonte Behar Shtyllën. Më duket se një nipi i Beharit, që banonte në Munih, i kishte kërkuar atij që të takohej me të. Kështu, së bashku me Mahmut Jakubin, trokitëm në derën e shtëpisë së vogël e të bukur të Behar Shtyllës. Nuk më kujtohet kush na e hapi derën. Më duket se ishte i biri. Unë iu prezantova, i thashë edhe arsyen e vizitës. Behari, i gëzuar, na priti menjëherë. Ishte po ai që e mbaja mend edhe para 30 vjetëve, edhe para 20 vjetëve, e njëjta pamje, i njëjti portret, po ato gjyslyke gjysmë të errëta, po ajo buzëqeshje e lehtë që dukej sikur i rrëshqiste mbi buzë, po ajo mënyrë të foluri e kujdesshme dhe miqësore. Meqë imami nuk pinte alkool, zonja Shtylla na nxori nga një kupë të vogël me gliko. Pimë edhe nga një kafe.

Imam Jakupi foli për nipin që jetonte në Mynih. Ai na bëri edhe një pyetje apo një propozim që, mua së paku, më gjeti të papërgatitur. “A do të dëshironit, na pyeti Mahmut Jakubi, të bënit së bashku një cikël temash për Shqipërinë në Arabinë Saudite? Do të ishte me mjaft interes për të bërë të njohur Shqipërinë në atë vend”. Unë prita reagimin e Behar Shtyllës. Ai u shpreh plotësisht i gatshëm. Ky udhëtim nuk u realizua asnjëherë. Mahmut Jakubi, besoj, kishte dëshirën e mirë. Ai, ndoshta na zgjodhi duke patur parasysh edhe origjinën tonë myslimane, gjë që ndoshta edhe do t’i kërkohej atij nga mikpritësit sauditë. Mahmut Jakubi, megjithatë, mendoj se nuk kishte peshuar mirë gjithçka, të kaluarën tonë komuniste, Behari si ish ministër i Jashtëm i diktaturës ateiste komuniste dhe unë si ish shef i Sektorit të Jashtëm të “Zërit të popullit”, organ i Komitetit Qendror të Partisë, që me Kushtetutë e deklaroi shtetin shqiptar si shtetin e vetëm ateist në botë. Me Mahmut Jakubin jam takuar pas shumë vitesh edhe në Bruksel. Pimë një kafe së bashku në Hotel ‘Hilton’. Nuk e pyeta përse nuk u bë udhëtimi me Behar Shtyllën në Arabinë Saudite. Ishte tjetër kohë. Milosheviçi kërcënonte me luftë Kosovën.

Unë do të kisha dashur ta shihja sërish Behar Shtyllën të fliste në një podium jashtë Shqipërisë. Më duket se e kuptova edhe gatishmërinë e tij për të folur për Shqipërinë në Arabinë Saudite. Ai, një pjesë të mirë të jetës aktive e kishte kaluar duke ligjëruar tribunave të forumeve ndërkombëtare, në sesionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e gjetkë. Kishte vite, mbi një dhjetëvjeçar, që kjo jetë i mungonte. Diktatura, praktikisht, e kishte “harruar” atë në vilën e tij edhe pse asnjë masë zyrtare nuk ishte marrë kundër tij. Mendoj se diktatori nuk ia kishte falur Behar Shtyllës, faktin që ai nuk pranoi t’i shërbente verbërisht në intrigat që thuri kundër kryeministrit të kohës Mehmet Shehu.

Ish kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, dihet se u shpall nga diktatori si super agjent i shumë fuqive. Për të provuar këtë gjë, Enver Hoxha solli si “fakt” një fakt të paqenë ose një gjysëm fakt. Mehmet Shehu kishte udhëtuar në vitin 1960 me transoqeanikut “Queen Elizabeth” për të marrë pjesë në Sesionin e XV të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, që do të mbahej në Nju Jork në shtator dhe gjysmën e parë të tetorit të atij viti. Në ekipin e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Mehmet Shehu, bënte pjesë edhe Behar Shtylla, që në atë kohë ishte në postin e Ministrit të Jashtëm.

Enver Hoxha thotë se gjatë udhëtimit në transoqeanikut “Queen Elizabeth”, Shehu është takuar me udhëheqësin e Jugosllavisë Josif Broz Titon, i cili realisht ka qenë në atë anije, por edhe me Randolf Çërçillin, djalin e Çërçillit dhe me agjentë të CIA-s. Enver Hoxha, me siguri, ka kërkuar pas 20 vjetësh nga ky udhëtim, fill pas vrasjes apo vetëvrasjes së Mehmet Shehut, që Behar Shtylla të dëshmojë në favor të variantit të tij të ngjarjeve. Kështu do të provohej se Mehmet Shehu kishte qenë agjent i hershëm , super agjent i rrezikshëm, poli agjent, etj.

Biseda me Agim Popën, i cili më tregoi rreth “takimit” të Mehmet Shehut me Titon!

Në shtatorin e vitit 2009, unë jam takuar me profesor Agim Popën, në atë që njihet si zona e Bllokut në Tiranë. Agim Popa ka qenë për disa vite edhe kryeredaktor i “Zërit të popullit”. Ai ka propozuar kandidaturën time për shef i Sektorit të Jashtëm të kësaj gazete. Takimi ynë u bë pas një mungese komunikimi gjatë shumë vitesh. Pimë një kafe së bashku dhe biseduam për kohët e shkuara. Duke përfituar nga karakteri i bisedës, unë i thashë Agim Popës: “Ju keni një jetë shumë të pasur. Përse nuk shkruani kujtimet tuaja?” Profesor Popa më tha se ai ishte duke i shkruajtur ato, por nuk e dinte nëse do të arrinte t’i përfundonte apo jo, pra nëse do të jetonte deri në përfundimin  e tyre. Ai, mesa pashë unë, e kishte të kotë këtë shqetësim. Agimi gëzonte shëndet të plotë dhe mendje të kthjellët.

Në vazhdim të bisedës, për të shuar kureshtjen time, Agim Popa më foli edhe për Behar Shtyllën dhe udhëtimin e Mehmet Shehut me transoqeanikut britanik “Queen Elizabeth”. Vetë ai ka qenë në rolin e përkthyesit të Mehmet Shehut në këtë udhëtim. Nga biseda me të arrij në përfundimin se Behar Shtylla, në thelb, ka refuzuar të mbështesë variantin e Enver Hoxhës. Sipas Agim Popës, Behar Shtylla ka dhënë variantin e tij, që nuk përputhej me atë të Enver Hoxhës. Nga tregimi i tij del se ish-ministri i Jashtëm, Behar Shtylla, ka pranuar që i biri i Çërçillit pati kërkuar të takohet me Mehmet Shehun. Behari ka thënë gjithashtu se vetë ai e kishte refuzuar këtë takim. Agim Popa nga ana e tij tregon se një takim i tillë, faktikisht, nuk është bërë, por se është refuzuar nga Mehmet Shehu, ndërsa Behar Shtylla dhe ai nga një kabinë telefonike, vetëm sa ia kanë transmetuar këtë qëndrim djalit të Çërçillit.

Për mua nuk është thelbësore nëse ka qenë Behar Shtylla apo kryeministri Mehmet Shehu ai që ka refuzuar takimin me djalin e Çërçillit, Randolf Çërçillin. Diktatori e dinte mirë të vërtetën, faktin se asnjë takim nuk ishte bërë nga kryeministri shqiptar gjatë udhëtimit me “Queen Elizabeth”. Behar Shtylla duke thënë se ai e kishte refuzuar takimin me Randolf Çërçillin, pohonte se ky takim nuk ishte bërë. Kjo është thelbësorja. Kjo e ka zemëruar Enver Hoxhën. Përsa i takon Behar Shtyllës, duke rrëfyer versionin e tij dhe duke këmbëngulur në këtë version, ai ka treguar zgjuarsi dhe ndershmëri. Së pari ai ka shfajësuar ish kryeministrin nga një akuzë e rreme dhe kështu ka qenë i qetë me ndërgjegjen e tij, së dyti ai edhe është vetëmbrojtur. Behari në këtë udhëtim kishte qëndruar në të njëjtën kabinë me kryeministrin Shehu. Kaq ishte e mjaftueshme për të thurur një roman policor me agjentë e super agjentë. Nëse ai do të kishte pranuar versionin e diktatorit, me siguri, më pas do të ishte akuzuar si bashkëpunëtor i kryeministrit dhe do të ishte ndëshkuar pa mëshirë si i tillë. Behar Shtylla u tregua edhe në këtë rast një diplomat i denjë, një personalitet që di të respektojë të vërtetën dhe veten, pavarësisht nga çmimi që duhet të paguaj. Fatmirësisht çmimi për të nuk qe tragjik. Ai vetëm u largua nga detyra e rëndësishme që kishte dhe u “harrua” si i paqenë. /Memorie.al

Go to TOP