Bajrami: Kosova s’ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, Kurti po keqinterpreton raportet

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të raportit të Transparency International, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për keqinterpretim të të dhënave mbi korrupsionin dhe transparencën në vend.

Bajrami falënderoi qytetarët që mbështetën Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe u zotua të vazhdojë të denoncojë atë që e cilëson si propagandë qeveritare.

Ajo theksoi se Kosova nuk ka bërë përparim real në luftën kundër korrupsionit, duke përmendur si argument faktin se gjatë mandatit qeverisës janë nënshkruar 2,123 kontrata me negociim, të cilat sipas saj nuk përfaqësojnë transparencë.

Bajrami kritikoi interpretimin e kryeministrit për renditjen e Kosovës në pozitën 73 nga 180 vende, duke theksuar se kjo nuk tregon progres, por se shpesh renditja përmirësohet kur shtetet e tjera pësojnë regres.

Ajo gjithashtu krahasoi indeksin e korrupsionit, i cili sipas Transparency International ishte 39 pikë në 2017, 41 në 2023 dhe 44 në 2024, duke argumentuar se progresi për 8 vite është vetëm 5 pikë, ndryshe nga interpretimi i Kurtit se Kosova ka avancuar me 10 vende brenda vitit dhe 31 vende gjatë mandatit.

“Qytetarët meritojnë ta dinë të vërtetën, dhe përgjegjësia për ta ofruar atë i takon secilit që ka kërkuar dhe marrë besimin e tyre,” përfundoi Bajrami.


Go to TOP