Aksion kundër degradimit të lumenjve

Ministria e Mjedisit në bashkërendim me institucione të tjera, përfshirë Task-forcën e gjelbër, Njësitin e Policisë së Kosovës për Krime Mjedisore, kanë zhvilluar aksion kundër degradimit të lumenjve. Me këtë rast janë sekuestruar makineri të rënda, me të cilat janë kryer aktivitete ilegale duke shkatërruar shtretër lumenjsh nga nxjerrja e zhavorrit e materialeve të tjera.

Buzë lumit Drini i Bardhë, i cili kalon nëpër fshatin Kramovik të Komunës së Rahovecit, shihen makineri të rënda e grumbuj me zhavorr, nga operatorë ilegalë.

Kosova vlerësohet se ka kufizim të resurseve ujore, por në fakt edhe ato po keqshfrytëzohen dhe po ndoten. Por, për ta ndaluar shkatërrimin e mëtejmë të lumenjve, ka nisur një aksion pa paralajmërim nga Task-forca e gjelbër, që është aktive kundër krimeve mjedisore.

Për monitorim sa më të mirë u përdorën edhe dronët, e gjatë aksionit u ndërprenë aktivitetet ilegale dhe u sekuestruan edhe makineritë.

“Në vazhdën e aktiviteteve të Task-forcës së Kosovës, Inspektoriatit të Mjedisit, Policisë së Kosovës, dhe Komisionit për Miniera dhe Minerale, zhvilluam aksion në këtë lokacion. Kjo kompani është duke operuar pa dokumentacion dhe me urdhër të prokurorit është sekuestru paisjet me të cilat ak vepru”, tha Elbasan Shala, drejtor i Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit.

“Që nga muaji i kaluar kemi themeluar task-forcën e gjelbër. Tashmë është aprovuar edhe plani i menaxhimit të pellgut lumor Drini I Bardhë, kundër operatorëve ekonomik ilegalë dhe personave fizikë që bëjnë krime mjedisore”, tha Visar Shehu, këshilltar politik në MMPHI.

Sipas zyrtarëve mjedisorë, aksionet do të vazhdojnë deri në ndalimin e plotë të kësaj dukurie ilegale.

Go to TOP